Problemet e vjetra siç duket do të shoqërojnë edhe këtë sezon turistik Kodrën e Diellit. Pavarësisht premtimeve nuk është realizuar asnjë investim infrastrukturor. Mbetet e paqartë nëse do të funksionojnë ski-liftët dhe teleferiku me gjashtë ulëse. Drejtori i Kodrës së Diellit, Aleksoski hesht për problemet.

“Kjo është rruga në hyrje të Kodrës së Diellit. Vit më parë, turistët që vinin për frekuentim të Kodrës së Diellit, formonin kolona nga një, dy e deri në tre kilometra me parkimin e makinave të tyre, si pasojë e mungesës së parkingut brenda në pikën turistike. Me gjasë, edhe sivjet kjo situatë do jetë e njëjtë, meqë as qeveria e as komuna, nuk investuan në rregullimin e këtij problemi”.

Kjo nuk është problematika e vetme që ka kjo pikë turistike e lënë tërësisht pas dore. Pronarët e hoteleve në Kodrën e Diellit, thonë se, institucionet nuk rregulluan as infrastrukturën rrugore të brendshme, as kanalizimin, e as lagjen e vilave. Edhe ato pak riparime të rrugës që bëhen, kryesisht janë investime private të pronarëve të hoteleve.

“Këtë vit siç e shoh, do kemi vështirësi nga të gjitha anët. E para është pandemia, e dyta problemet e parkingjeve përsëriten çdo vit dhe e treta, qendra turistike, siç e shohim ka shumë probleme dhe besoj që nuk do punojë asgjë. Arsyetime ka plot përgjigje nuk ka. Ne vet kemi bë zgjerimin e rrugës kemi dislokuar kanalin për rreth katër metra e kemi bë fazën e parë dhe presim asfaltimin po këtë vit me siguri nuk do arrimë të bëjmë asfaltimin”, deklaroi Ashim Asani, pronar hoteli.

Zhare Nedelkovsi, një pronar tjetër hoteli, thotë për Alsat se, takime ka shpesh me drejtuesit e ELEM-it, por gjithçka mbetet vetëm në premtime.

T mobile In article [4]

“Asgjë nuk është investuar në këtë drejtim, problem i madh është edhe me mbetjet këtu, lagja e vilave, kanalizimi është problematik, ndërrimi rrugor është problem. Njëjtë e kemi hall se si do funksionojmë me ski liftët dhe terrenin e skiimit. Me institucionet kemi pasur takime por gjithçka mbetet tek premtimet dhe asgjë më shumë”, u shpreh Zhare Nedellkovski, pronar hoteli.

Ekipi i televizionit Alsat tentoi të merr prononcim edhe nga drejtori i Kodrës së Diellit, Zhive Aleksoski, për të mësuar nëse është bërë kontrolli i zakonshëm i ski lifteve dhe nëse do funksionojë apo jo teleferiku me gjashtë ulëse këtë vit, por nga drejtoria, heshtin.