TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR MIKUN TIM DHE TONIN, DR. NURI DRAGOJ

E nderuara familja Dragoj
Të ndëruar miq,
Pranoni Ngushëllimet e sinqerta për humbjen e mikut tonë, Dr. Nuri Dragoj.

Me pikëllim të thellë mbrëmë mora lajmin për vdekjen e Dr. Nuri Dragojit, një personaliteti krejt të veçantë, një figure të shquar shqiptare, mikut dhe njeriut të madh.
Me Nuriun jemi njohur në 2016, me aktivitetet të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”, në Suedi, një njohje fizike, relativisht e vonshme. Por, kemi mësuar për njëri tjetrin aq shumë, sa të kishim bërë një jetë bashkë.
Historiani dhe gazetari i njohur Dr. Nuri Dragoj kishte sinqeritet të plotë në bashkëpunimet tona. Ai lartësonte punën dhe përpjekjet e çdo shqiptari në mërgatë, duke thënë hapur “Shpresën e kemi tek ju”, kur binte fjala për interesat e kombit.
Ai e cilësonte librin “Thesar Kombëtar të Mërgatës Shqiptare në Suedi”, si një vepër kapitale, si shembull të shkëlqyer të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” dhe shpresë për të nesërmen e çështjes kombëtare. “Botimi me vlerë i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” Suedi, titulluar “Thesar Kombëtar i Mërgatës Shqiptare në Suedi”, ku janë publikuar një numër i madh me dokumente, artikuj e intervista, flet qartë për ndjenjën e përgjegjësisë që ka vetë kryesia e shoqatës, por dhe gjithë anëtarësia e saj. Botimi në faqet e këtij libri, të krijimeve që lidhen me jetën në komunitetin e shqiptarëve në Suedi, në Shqipërinë e tyre të dytë, si dhe shkrime e krijime për atdheun amë, perspektivën e kombit shqiptar, pasurimin e historisë së tij, janë hapa të guximshëm dhe mbi të gjitha me interes të madh për kulturën kombëtare dhe edukimin e brezit të ri .”, thoshte Dragoj në shkrimet e tij të gjata e shumë përmbajtjesore.
“Të gjithë ne, kudo që jemi, të punojmë siç punon shoqata ”Papa Klementi XI Albani” me qëllim që të shpejtojmë, sepse është fat i madh që fuqitë e mëdha që e copëtuan Shqipërinë, tani e kanë në dorë edhe bashkimin”, kishte thënë ndër të tjera në një intervistë për “Thesar Kombëtar…”, historiani dhe gazetari i njohur Nuri Dragoj.
Për këtë arsye, Shoqata “Papa Klementi XI Albani”, e kishte shpallur dhe pranuar atë si Anëtar Nderi të shoqatës, për kontributin e pakontestueshëm që kishte dhënë në shërbim të traditës, kulturës, krijimtarisë letrare e publicistike dhe për mbështetje të sinqertë në veprimtarinë e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” në Suedi.
Së fundmi, nga ai kam marrë vlerësimin më të lartë në librin “Hysen Ibrahimi- Hero i heshtur i dritës, të autorës Hyrë Tejeci Murati, ku Nuri Dragoj më cilëson si një “marathonomak i trojeve shqiptare”. Një shkrim prej 8 faqesh, ku ai përshkruan takime tona, duke lartësuar çdo veprim tonin që bënim në raport me çështjen kombëtare shqiptare, Dragoj tregonte përkushtimin dhe çiltërsinë e tij, për të njohur punën e të tjerëve, për ta grumbulluar atë në një pikë të rëndësishme, që do të ishte e mira e kombit tonë.
Por, Ti na ike herët, miku im i shtrenjtë. Do të takohemi në botën e amshueshme, ku shpirti yt do t’i takojë parajses.
Vdekja e Dr. Nuri Dragojit është humbje për familjen, për shoqërinë, për historinë, gazetarinë dhe kulturën shqiptare. Është humbje edhe për ne anëtarët e Shoqatës “Papa Klementi XI Albani” në Suedi. Ishte Anëtar Nderi i Shoqatës “Papa Klementi XI Albani” në Suedi dhe mbështetës dhe pjesëmarrës i të gjitha takimeve tona kulturore.

Por, vepra dhe puna e tij do të jetojë gjatë dhe do të shërbejë si model i mirë për brezat që vijnë. Nuk vdesin asnjëherë, ata që lënë gjurmë në të mirë të kombit!

Qoftë i përjetshëm kujtimi për Dr. Nuri Dragoj dhe veprën e tij të madhe!
I lartësuar qoftë emri i i tij.

Hysen Ibrahimi, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë
“Papa Klementi XI Albani”, Suedi
Ängelholm, 16 tetor 2020