Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Hajko Mas tha se ikja e inteligjencës është problem në vendet e Ballkanit Perëndimor, për ç’shkak propozoi reforma dhe premtoi mbështetje nga Bashkimi Evropian.

Në hapjen e konferencës “Të rinjtë, migrimi dhe sfidat demografike të Ballkanit Perëndimor” dje në Berlin, Mas theksoi se Evropa nuk është kundër migrimit, por se është e pamundur të injorohen problemet që i krijon kjo dukuri në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në fillim të fjalimit të tij, ministri gjerman theksoi se qëllimi i konferencës nuk është ndalimi i migrimit dhe se tre dekada pas rënies së Perdes së Hekurt, Evropa është e vetëdijshme për faktin se të gjitha tentimet e tilla kanë qenë të destinuara në dështim.

“Lëvizja e lirë është rrënjosur në kodin gjenetik të Bashkimit Evropian dhe kusht për përgatitjen e të rinjve për jetë në një botë të globalizuar, të ndërlidhur në mënyrë të ndërsjelltë”, tha Mas.

Nga ana tjetër, nuk mund t’i injorojmë problemet që i shkakton ikja e inteligjencës në vendet nga Ballkani Perëndimor, tha ministri gjerman, duke shtuar se të dhënat për këtë janë befasuese.

T mobile In article [4]

Mas theksoi se sipas revistës “Ekonomist”, popullata në Bosnje e Hercegovinë do të pakësohet për një të tretën deri në vitin 2050 në krahasim me numrin e njejtë në vitin 1990 dhe se të dhëna të ngjashme ka edhe për Shqipërinë dhe Serbinë. Ai, gjithashtu, tha se hulumtimi i Këshillit për bashkëpunim rajonal tregon se 71 për qind i të rinjve nga Ballkani Perëndimor mendojnë të largohen jashtë vendit.

Ministri gjerman theksoi se shkaku kryesor për largimin jashtë vendit janë rrogat më të larta, por gjithashtu edhe pakënaqësia nga sistemi arsimor, shëndetësia dhe sistemi social, punësimi i bazuar në njohësi, ndërkaq jo sipas performanseve personale, si dhe niveli i korrupsionit, siç tregoi hulumtimi i kohëmëparshëm i fondacionit “Fridrih Ebert”. Me akoma më shumë probleme po përballen pakicat, siç janë romët, të cilët janë viktima të diskriminimit”, shtoi ai.

Për shkak të gjendjes së këtillë, me rëndësi është të zbatohen reformat, tha Mas dhe prezantoi propozim prej tre pikash.

Së pari, duhet të investojmë në të ardhmen, tha ministri gjerman dhe theksoi se për shkak të pandemisë, shumë kompani, gjithnjë e më tepër po mendojnë ta zhvendosin vendin e vet të prodhimit në Evropë dhe se pozita gjeografike e Ballkanit Perëndimor është ideale. Megjithatë, baza për investim të suksesshëm është zbatimi i reformave për luftë kundër korrupsionit dhe burokracia, tha Mas. Ai shtoi se raporti i fundit i Komisionit evropian tregon se nevojitet përkushtim më i madh në sferën e sundimit të së drejtës dhe menaxhimi përgjegjës dhe se BE-ja mbetet e përkushtuar ta mbështesë Ballkanin Perëndimor në zbatimin e atyre kërkesave.

Çështja e dytë që duhet të zgjidhet për shkak të problemit me ikjen e inteligjencës është t’u vihet fund problemeve nga e kaluara, e kjo posaçërisht ka të bëjë me Kosovën dhe Serbinë, si dhe me Bosnjë e Hercegovinën, tha Mas.

“Lejoni përfundimisht t’i lëmë demonët e së kaluarës prapa nesh! Ata vetëm e bllokojnë rrugën e vendit tuaj drejt të ardhmes më të mirë”, potencoi Mas.

Pika e fundit nga plani i Masit për parandalim të ikjes së inteligjencës nga Ballkani Perëndimor është bashkangjitja e tyre në Bashkimin Evropian, ku shumica e të rinjve e shohin të ardhmen e vet.

“Ndërkaq, nëse Bashkimi Evropian nuk vjen tek ata, ata do të shkojnë drejt saj”, vlerësoi ministri gjerman.