Gjatë dy ditëve në vijim, ministrat e Mbrojtjes së shteteve anëtare të NATO-s do të takohen për të adresuar çështje kyçe për Aleancën.

Në një konferencë për shtyp para nisjes së takimit, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg theksoi se gjatë takimit do të shqyrtohet edhe situata me Covid-19 në vendet anëtare. Si rrjedhojë Stoltenberg theksoi se Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Mali i Zi  tashmë kanë nisur të marrin ndihma nga rezervat e reja të NATO-s për mbështetje për ballafaqim me pandeminë.

“Pastaj, kur bëhet fjalë për valën e dytë të COVID-19, forcat tona ushtarake tashmë po bëjnë shumë. NATO po mbështet vazhdimisht, po koordinojmë, po ndihmojmë në transportimin e pajisjeve mjekësore, pacientëve, po ndihmojmë në ngritjen e spitaleve në terren. Këtë muaj kemi dorëzuar disa pajisje në Shqipëri, Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut. Kemi krijuar një Plan Operacional. Kemi rezerva të gatshme. Këtu ka mjete që mund të forcojnë më tej përpjekjet e NATO-s dhe ushtarakëve tanë në mbështetje të shërbimeve shëndetësore civile gajtë ballafaqimit me pandeminë”, tha mes tjerash Stoltenberg.