Banka Qendrore Europiane (BQE) bëri sot të qartë se po përgatitet të forcojë, deri në fund të vitit, masat e saj për mbështetjen e ekonomisë, mes shqetësimit të madh për valën e dytë të COVID -19 që po errëson shpresat e rimëkëmbjes.

“Nuk do të rrimë duarkryq, pa bërë gjë. Ne do të përdorim të gjitha instrumentet në dispozicionin tonë me fleksibilitetin e plotë që kemi, për t’u marrë me zhvillimet në frontin e pandemisë”, këmbënguli Christine Lagarde gjatë konferencës për shtyp pas takimit të Bordit të Guvernatorëve të Bankave.

Në të ardhmen e afërt, institucioni i Frankfurtit ka zgjedhur një status quo monetare, duke e mbajtur normën kryesore të interesit në zero, ndërkohë që bankave do t’u vihet një taksë 0,50% për një pjesë të depozitave, që ata ia besojnë bankës qendrore në vend që t’ua huazojnë klientëve të tyre.