Nga Skënder Sadri KAPITI

Kosova për mbi 100 vite luftoi, sfidoi dhe triumfoi kundër padrejtësisë më të madhe që i është bërë ndonjë kombi europian.

Kosova luftoi kundër kolonizatorit barbar e genocidit serb; luftoi dhe u përball njëkohësisht dhe pa u ndalur edhe kundër padrejtësisë së Europës e cila e shkëputi Kosovën nga trungu i Shqipërisë dhe e la nën Serbi.

Asnjë popull europian nuk ka luftuar për lirinë e drejtësinë njerëzore e kombëtare se sa Kosova; dhe asnjë komb nuk e di rëndësinë e madhe dhe jetike që ka drejtësia për një popull se sa populli i Kosovës.

Prandaj, populli heroik i Kosovës nuk ia ka për “borxh” politikës dhe politikanëve kosovar që tani në shtetin e lirë e të pavarur nuk e meriton Kosova dhe as populli shqiptar këtë zhgënjim që asaj i vjen prej politikës dhe prej pushtetit që shqiptarët të vuajnë padrejtësie nga korrupsioni, krimi, papunësia, varfëria, dhe as nga tradhtia, vjedhja e hajnia politike dhe institucionale.

Shqiptarët e Kosovës luftuan për atdheun e tyre,për tokën e vet, për lirinë dhe lumturinë e tyre në atdheun e lirë e të begatë të tyre, luftuan për shtetin dhe Bashkimin kombëtar, dhe për të cilat Kosova e ka paguar shumë shtrenjtë me gjakun dhe sakrificat e bijve dhe bijave të saj.

Këtë askush nuk duhet ta harrojë, por dhe askush me to nuk do të mundet që të spekulojë e të përfitojë duke bërë zullum, padrejtësi, vjedhje, hajni e tradhti, sepse Kosova këto nuk do ia falë askujt.