Jemi të hapur për dialog dhe avancim të bashkëpunimit kulturor me të gjithë fqinjët. Njëri prej prioriteteve në punën time është të thelloj këtë bashkëpunim. Aq më tepër kur të gjithë ne në Ballkan, si pasardhës të perandorive të mëdha, ndajmë trashëgimi të përbashkët kulturore që është bazë e përbashkët për dialog të ndërsjellë dhe respekt reciprok. Këtë e deklaroi ministrja e Kulturës, Irena Stefoska duke iu referuar fqinjësisë së mirë dhe sa ndikon ajo në trashëgiminë kulturore.

Ministrja bëri të ditur se në të ardhmen do të iniciojë takime të shpeshta në nivel ministror me të gjitha vendet fqinje në drejtim të ndërtimit të politikave të përbashkëta kulturore si investim për të ardhmen.

Duke marrë parasysh faktin që për herë të parë vjen në këtë post, Stefoska bëri të ditur se prioritet kulmor do t’i jetë edhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore, eurointegrimet në kulturën, e fokus i veçantë do t’u kushtohet edhe të rinjve.

– Ndjej përgjegjësi si ministre e Kulturës të bëj çmos që është në domenin e autorizimeve për mbështetjen e ideve dhe kreativitetit te të rinjtë. Vendosim një numër më të madh të masave stimuluese. Në përputhje me programin planifikohet rritje e numrit të qendrave kreative dhe inkubatorëve për shoqata të qytetarëve dhe artistë të pavarur, tha ministrja.

Sipas Stefoskës, Ministria e Kulturës përballet me probleme strukturore, që janë pengesë që kjo të jetë servis profesional i punëtorëve kulturor dhe i qytetarëve.

– Për mua si ministre, dhe për ekipin tim më të rëndësishme janë profesionalizmi, përgjegjësia dhe efikasiteti. Për këtë qëllim këtyre ditëve mbajmë takime intensive me të punësuarit në sektorët e Ministrisë së Kulturës, si dhe me drejtorët e institucioneve kombëtare në mënyrë që të konstatojmë gjendjen faktike, sqaroi ajo.

Lidhur me përmendoren Nëna Terezë, si një nga përmendoret e projektit “Shkup 2014”, Stefoska bëri të ditur se ekspertët kanë vërejtur një varg parregullsish, por siç tha, gjatë gjithë këtyre viteve Ministria bashkëpunon me Komunën Qendër dhe me realizuesin e përmendores, e në bashkëpunim edhe me Asociacionin e arkitektëve sërish do të rishqyrtohen të gjitha mundësitë dhe propozimet ligjore në mënyrë që të arrihet zgjidhje me të cilën, sqaroi ministrja, shkupjanët do të krenohen.

Ministrja pret që Ligji i ri i interesit publik në kulturë menjëherë të hyjë në procedurë parlamentare, ndërsa thekson edhe se bëhet fjalë për përmirësimin e kritereve në konkurset vjetore.

Zonja Stefoska, për herë të parë vini në postin e ministres së Kulturës, pasi që disa vite me radhë e keni ushtruar postin e deputetes në Kuvend dhe kulturën e ndiqnit nga një kënd tjetër. Cila do të jetë detyra juaj themelore dhe në çfarë do të fokusoheni më së shumti si ministre e Kulturës gjatë këtij mandati?

Ju faleminderit për interesin. Po, postin ministër e shikoj si vazhdimësi të punës në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, veçanërisht në Komisionin e kulturës prej ku kam përvojë të çmueshme.

Kultura është e afërt edhe me natyrën time dhe arsimimin, prandaj këtë post e shikoj si sfidë dhe përgjegjësi të madhe, meqë kultura është gjëja e vetme që e kemi në dispozicion dhe me çka mund të jemi të dalluar dhe pranuar në kontekstin botëror. Ajo që është prioriteti i parë i Kabinetit tim ministror është mbrojtja e trashëgimisë kulturore, ku përballemi me numër të madh të sfidave.

Mbrojtja e trashëgimisë kulturore është prioritet i secilës Qeveri të përgjegjshme, por edhe njëri prej prioriteteve të Bashkimit Evropian. Komisioni Evropian është miku ynë i sinqertë dhe mbështetës i reformave në fushën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore.

Tema e dytë që është shtyllë e përkushtimit tim, janë eurointegrimet në kulturën. Ky prioritet, që është në bazën e programit të Qeverisë, për ne është me rëndësi të madhe meqë si resor para nesh janë hapur mundësi të panumërta që deri tani nuk janë shfrytëzuar sa duhet.

Të rinjtë me energjinë dhe dijeninë e tyre janë prioriteti i tretë në të cilin punojmë me përkushtim. Është e domosdoshme përfshirja e të gjitha forcave të talentuara dhe progresive në ndërtimin e një shoqërie demokratike me vlera evropiane. Jemi duke zhvilluar modele për stimulimin dhe mbështetjen financiare e të rinjve nga të gjitha bashkësitë etnike në mënyrë që t’i realizojnë me efikasitet nevojat e tyre artistike dhe kreative.

Krahas këtyre prioriteteve themelore presim që Ligji i ri për interes publik në kulturën menjëherë të hyjë në procedurë parlamentare, ndërsa jemi duke punuar edhe në përmirësimin e kritereve të konkurseve vjetore.

Çfarë është ajo që së pari do ta ndryshoni në funksionimin e Ministrisë së Kulturës?

Ministria e kulturës përballet me probleme strukturore, që janë pengesë që kjo të jetë shërbim profesional i punëtorëve kulturor dhe i qytetarëve.

Për mua si ministre, dhe për ekipin tim më të rëndësishëm janë profesionalizmi, përgjegjësia dhe efikasiteti. Për këtë qëllim këtyre ditëve jemi duke mbajtur takime intensive me të punësuarit në sektorët e Ministrisë së Kulturës, si dhe me drejtorët e institucioneve kombëtare në mënyrë që ta konstatojmë gjendjen faktike dhe më pas t’i qasemi riorganizimit gradual që presim të nxisë motivimin e të punësuarve dhe efikasitetin në zbatimin e obligimeve.

Në programin premtoni revizion dhe fshirje nga regjistri i të gjitha përmendoreve dhe objekteve të regjistruara në mënyrë të paligjshme nga, siç bëhet e ditur i ashtuquajturi projekt “Shkupi 2014”, të cilët për nga natyra e tyre nuk mund të paraqesin trashëgimi kulturore. Për cilat përmendore bëhet fjalë dhe si planifikoni ta realizoni këtë, duke marrë parasysh faktin se Qeveria në mandatin paraprak kishte paralajmërime se do ta zgjidhë këtë projekt kontrovers?

Është e vërtetë, në programin e Qeverisë paralajmërohet revizion i “Shkupi 2014”. Kjo është një procedurë e ndërlikuar për të cilën deri tani janë përpiluar elaborate për secilën prej përmendoreve dhe ndërtimeve në këtë projekt. Duke marrë parasysh kompleksitetin e temës në programin e Qeverisë është paralajmëruar edhe konkurs ndërkombëtar për revitalizimin e zonës qendrore të qytetit.

Cili është qëndrimi juaj lidhur me përmendoren Nëna Terezë, a do t’u dilni në ndihmë kërkesave të Asociacionit të arkitektëve të cilët kërkojnë mënjanimin e përmendores, me pohimin se shkel një varg të ligjeve?

Kompozicioni skulpturor Nëna Terezë është njëra prej përmendoreve në projektin e “Shkupi 2014” që iu nënshtrua revizionit nga grupi i ekspertëve të formuar në Ministrinë e Kulturës. Ekspertët vërejtën një varg parregullsish dhe ofruan masa për veprim të mëtejshëm. Ndërtimi i kompozicionit skulpturor ka pushuar prej vitit 2017, ndërsa vitin e kaluar Qeveria detyroi Ministrinë e Kulturës që të shpallë thirrje publike për ridedikimin e objektit. Edhe ky propozim, me të drejtë, hasi në indinjatë në opinion. Gjatë gjithë këtyre viteve Ministria bashkëpunon me Komunën Qendër si dhe me realizuesin e përmendores, ndërsa në bashkëpunim edhe me Asociacionin e arkitektëve sërish do t’i rishqyrtojmë të gjitha mundësitë dhe propozimet ligjore në mënyrë që të arrijmë zgjidhje me të cilën shkupjanët do të krenohen.

Në kohë të pandemisë thuajse 70 për qind e bibliotekave, teatrove, Filarmonia janë të bllokuara tërësisht në punën dhe krijimtarinë e tyre dhe mezi funksionojnë…kërkojnë mbështetje nga Qeveria. A keni ndonjë program ose plan për zgjidhjen e këtij problemi, a do t’u ofroni zgjidhje këtyre institucioneve?

Pas bisedimeve të gjata dhe rrënjësore, Komisioni i Sëmundjeve Ngjitëse të enjten miratoi protokoll për hapjen e institucioneve nga fusha e kulturës, për mbajtjen e ngjarjeve në hapësirë të mbyllur. Jemi dëshmitarë të sezonit të suksesshëm veror, që një numër i madh i manifestimeve dhe operatorëve e shfrytëzuan për mbajtjen e ngjarjeve në vend të hapur. Pas përpilimit të protokolleve të veçanta, interne të përshtatura me protokollin e përgjithshëm, institucionet mund ta fillojnë sezonin vjeshtor.

Jemi duke e ndjekur me përkushtim situatën dhe besojmë se me masat e veçanta mbrojtëse, punën e institucioneve por, edhe skenës së pavarur, do të miratohet edhe cilësi e re për të gjithë.

A planifikoni projekte të reja infrastrukturore në institucionet kulturore në vend gjatë këtij mandati?

Në periudhë të pandemisë botërore detyrimisht imponohet nevoja e kursimit. Në këtë kuptim, prioritet është mirëmbajtja dhe përmirësimi i infrastrukturës së institucioneve të kulturës.

Ministria gjatë viteve ishte në shënjestër të akuzave për kurdisje të konkurseve për projektet kulturore, ndarje të parave të subjekteve që edhe nuk promovojnë kulturë, si do ta ndryshoni këtë gjendje?

Afrohet termini për shpalljen e Konkurseve vjetore për projekte me interes kombëtar në kulturën. Punojmë në mënyrë intensive në saktësimin e kritereve për konkurrim dhe për vlerësimin e projekteve dhe programeve me interes publik. Ligji i ri i interesit publik në kulturë sjellë ndryshim edhe në modelin e financimit në kulturë.

SKRM-ja dhe SASHK-u akuzuan për mosrespektim të Marrëveshjes kolektive, për vonesë të pagesës së pagave të të punësuarve, e më vonë Ministria informoi se ky problem është tejkaluar. Cili është qëndrimi juaj në raport me marrëveshjen kolektive për të punësuarit në kulturë, a do të pësojë ndryshime të caktuara?

Pas shumë viteve, Marrëveshja kolektive në kulturën në bashkëpunim me dy sindikatat, SKRM-në dhe SASHK-un, përfundimisht u nënshkrua në dhjetor të vitit 2019. Në procesin e zbatimit të tij u paraqitën probleme që menjëherë filluam t’i zgjidhim, kështu që pagat për muajin korrik janë paguar tërësisht, ndërsa thuajse të gjitha institucionet kombëtare e kanë marrë edhe pagën e gushtit. Përveç kësaj, formova grup punues prej specialistëve të lartë, përfaqësues të sindikatave dhe të Ministrisë në mënyrë që t’i përmirësojmë të gjitha mospërputhjet eventuale juridike. Marrëveshja kolektive, siç e thash edhe në konferencën për media, gjithsesi ka hapësirë që ende të përsoset, e me këtë edhe të drejtat e punëtorëve në kulturën, për çka do të angazhohem gjithmonë.

Sa do të vihet fokusi te të rinjtë në programin e ri, a planifikoni masa të caktuara stimuluese në mënyrë që ta forconi ndikimin e tyre në kulturën?

Ndjej përgjegjësi si ministre e Kulturës që të bëj çmos që është në domenin e autorizimeve të MEDIAL për të mbështetur idetë dhe kreativitetin te të rinjtë. Jemi duke vendosur një numër më të madh të masave stimuluese. Në përputhje me Programin e Qeverisë planifikohet rritje e numrit të qendrave kreative dhe inkubatorëve për shoqata të qytetarëve dhe artistë të pavarur.

Si vend kandidat për BE, në dispozicion na qëndrojnë fondet e Bashkimit Evropian, që nuk janë shfrytëzuar sa duhet, dhe me të cilat të rinjtë nuk janë të njoftuar mirë.

Obligimi ynë si Ministri e Kulturës, në bashkëpunim me KPE, është që t’i përmendim këto mundësi dhe t’i trajnojmë të rinjtë se si t’i shfrytëzojnë këto fonde.

Dua të theksoj se edhe programet e UNESKO-s për mbështetje në fushën e arsimit, shkencës, komunikimeve dhe arteve bashkëkohore gjithashtu, nuk janë shfrytëzuar sa duhet.

Për fund, fqinjësia e mirë, gjithmonë temë aktuale, e veçanërisht ditëve të fundit, fqinjësia e mirë në pako me trashëgiminë kulturore, vlerësimi juaj si do të lëvizim, a do të ndryshojmë në këtë drejtim?

Maqedonia e Veriut është e hapur për dialog dhe avancim të bashkëpunimit kulturor me të gjithë fqinjët. Njëri prej prioriteteve në punën time është që ta thelloj këtë bashkëpunim. Aq më tepër kur të gjithë ne në Ballkan, si pasardhës të perandorive të mëdha, ndajmë trashëgimi të përbashkët kulturore që është bazë e përbashkët për dialog të ndërsjellë dhe respekt reciprok. Kam ndërmend të iniciojë takime të shpeshta në nivel ministror me të gjitha vendet fqinje në drejtim të ndërtimit të politikave të përbashkëta kulturore si investim në të ardhmen.