Interi e ka mundur me rezultat të bindshëm Beneventon në shtëpi të tyre duke e mundur me rezultat 2-5. Romelo Lukaku dhe Achraf Hakimi kanë shkëlqyer për Interin ku Lukaku shënoi dy gola ndërkaq Achraf Hakimi shënoi një dhe bëri një asistim në këtë ndeshje

Interi ka vazhduar me fitore edhe në xhiron e dytë të Serie A. Tanimë nga dy ndeshje ata kanë 6 pikë dhe gjenden në vendin e dytë në Serie A pas Napolit që janë të parët.

Në pjesën e parë u shënuan plot pesë gola.

Achraf Hakimi do të asistonte për Romelu Lukaku që në minutën e parë të ndeshjes për rezultat 0-1.

Në minutën e 25-të do të vinte edhe goli i dytë për skuadrën zikaltër. Kësaj radhe ishte Ashley Young që asistoi për Roberto Gagliardini i cili shënoi.

Tre minuta me vonë Gagliardini do të asistonte për Lukaku, i cili shënonte golin e tretë për Interin.

Golat do të vazhdonin që të shënoheshin në këtë ndeshje ku Benevento do të shënonte në minutën e 34-të me anë të Gianluca Caprari.

Blerja e re e Interit, Achraf Hakimi tregoi përsëri klasin e tij duke shënuar gol në minutën e 42-të te ndeshjes.

Me këtë rezultat do të përfundonte pjesa e parë.

Në pjesën e dytë nuk pati gola deri në minutën e 71-të.

Dyshja sulmuese e Inter, Alexis Sanchez dhe Lautaro Martinez do të vinin të goli i pestë në minutën e 71-të. Sanchez do të asistonte për Lautaron i cili shënoi një gol të bukur.

Caprari do të shënonte përsëri për Beneventon në minutën e 76-të por kaq mundi të bënte kjo skuadër që u rikthye në Serie A pas një viti mungesë.

Pas kësaj fitoreje Interi është në vendin e dytë pas dy xhirove, prapa Napolit që ka golëdallim më të mirë.

Kurse Benevento mbetet në vendin e 12 me tri pikë pas dy xhirove.