Në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, përmes një proteste është kërkuar përgjegjësi institucionale për mosreagimin e institucioneve në mbrojten e të drejtave të grave.

”Poshtë Patriarkati“, “Jom njeri, s’jom rob”, “Edhe sa thirrje të humbura”, “Gjyqësor Kanunor”, janë disa nga thirrjet të cilat organizata Replikë” së bashku edhe me disa organizata joqeveritare i kanë vënë në pah se duan drejtësi për gratë të cilat janë viktima të dhunës dhe vrasjeve të shkaktuara nga kjo dhunë.

Bjeshka Guri, një aktiviste e organizatës “Replikë”, ka thënë se përmes kësaj proteste kërkojnë drejtësi për gratë, të cilat janë viktimë e dhunës dhe vrasjeve, raporton KP, transmeton Klan Kosova.

Krahas kësaj, ajo ka kritikuar institucionet, duke thënë se këto të fundit promovojnë kulturë dhune, duke fajësuar viktimën e duke mos dënuar kriminelët, me çka jeta e grave po rrezikohet çdo ditë e më shumë.

“Jetët e grave në Kosovë po rrezikohen çdo ditë, nga një kulturë e dhunës e prodhuar nga mendësia patriarkale në shoqërinë tonë, e të mirëmbajtur nga institucionet tona, ato dështojnë të reagojnë me kohë, për t’iu përgjigjur grave kur ato kërkojnë mbrojtje. Institucionet tona promovojnë një kulturë dhune, duke e fajësuar viktimën e duke mos dënuar kriminelët. Jemi lodhur duke pritur në ankth duke pritur për gratë që vriten e për ato që dhunohen. Prandaj të frustruar me gjendjen e krijuar lusim të gjithë njerëzit që besojnë në kërkesat e replikë, për drejtësi për gratë të bashkohen në protestë”, ka thënë ajo.

Me qëllim të parandalimit të përhapjes së COVID-19, kjo protestë u realizua me biçikleta, përmes marshimit nëpër rrugët kryesore të Prishtinës.