Floresha Zhidro, e cila akuzonte mëngjesin e sotëm mediat dhe Policinë se ishin fajtore për vrasjen e Lefter Zhidru, bashkëjetuesit të saj me të cilin kishte një vajzë 14-vjeçe, duket se është ndjekur nga histori të trishta në jetën e saj.

Ai quhet Bukurosh Baho, nga fshati Broshkë i Elbasanit. Ai është vrarë në Greqi rreth 23 vite më parë. Iku për Greqi në këmbë, ishte kohë trazirash.

Policia i bëri thirrje të ndalojë pasi dyshonte se po trafikonte drogë por që në fakt nuk rezultoi kështu. Efektivët qëlluan pasi nuk dëgjuan thirrjet e tyre për të ndaluar. Ishte bashkë me të tjerë, ndërsa policia greke ka qëlluar mbi emigrantët e paligjshëm.

Njëri nga plumbat ka kapur ish-bashkëshortin e Floresha Zhidros, Bukurosh Baho në një terren mjaft të vështirë. Pas goditjes ai kë rënë nga një shkëmb me lartësi të madhe ku ka përfunduar i vdekur. Pas kësaj, djali i tyre u mor në kujdestari nga të afërmit (prindërit e të atit), ndërsa Floresha nisi një bashkëjetesë të shkurtër me një burrë tjetër.

Pas shkëputjes me këtë të fundit, u martua me urdhërin e familjes me Lefter Zhidrun. Që nga koha kur është martuar, djalin që kishte me Bukurosh Bahon nuk e ka takuar më pasi nuk e lejonin prindërit e ish-bashkëshortit.

Floresha mësohet se e ka marrë mbiemrin Zhidru në formë “dhurate” pasi në gjendje civile nuk rezulton e martuar me Lefter Zhidrun. Një nga arsyet thonë burimet ka të bëjë me faktin se Lefteri nuk ishte divorcuar me gruan e dytë. Bashkëjetesa me Floreshën për Lefterin, babain e 3 fëmijëve ishte e treta, ndërkohë që tashmë dhimbja do të jetë e madhe dhe për vajzën e saj të mitur.

Ajo u përpoq dje që të komunikonte dhe të bindtte babanë e saj që të dorëzohej në Polici, por nuk mundi tia dilte dot.