Disa media e përshkruanin si skenar apokaliptik, vdekjet masive të zogjve në një qytet misterioz bërthamor rus.

Në pamjet e publikuara në mediat sociale shiheshin korbë masivisht të vdekur në rrugë. Ngjarja e regjistruar në qytetin Balakovo është aktualisht nën hetim nga zyrtarët dhe disa ekspertë thonë se kemi të bëjmë me një ngjarje të gripit të zogjve.

Por të tjerë kanë sugjeruar se zhvillimi mund të ketë lidhje me impjantin bërthamor të qytetit.

Departamenti lokal veterinar i Saratov ka nisur hetimet për fenomenn e çuditshëm dhe tha se janë marrë “mostra të biomaterialit” për testimet e gripit të zogjve.
Një nga komentet në rrjetet sociale ruse thoshte : “Edhe në Çernobil, fillimisht të gjithë zogjtë vdiqën.”

Dhe në fakt centrali bërthamor në Balakovo ka pësuar një aksident të rëndë në 1985, ku 14 punonjës vdiqën si rezultat i gabimit njerëzor, një vit para se të ndodhte katastrofa në Çernobil.

Media ruse ‘Russia Today’ komentonte skenën: “Duket se Halloween ka ardhur para kohe në Balakovo, 1,000km në jug të Moskës, vend i njohur për centralin bërthamor.”

Vendasit kanë refuzuar shpjegimet bombastike bërthamore apo të viruseve duke thënë se është një fenomen mjedisor, siç mund të jenë erërat e forta apo përplasja e dy tufave të zogjve.