Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, mori pjesë në përurimin e projektit “Furnizimi me mjete mbrojtëse kundër COVID-19 për kategoritë e rrezikuara sociale”, në Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve.

Projekti është mbështetur nga Kuvendi i Kosovës dhe Ambasada e Luksemburgut, ndërkaq është realizuar nëpërmjet Organizatës për Mbrojtjen e të Drejtave të Pacientëve (PRAK). Projekti synon t`i furnizojë me maska dhe dezinfektues këtë kategori, e cila konsiderohet me rrezikshmëri më të lartë të infektimit.

Nga ky projekt mbështeten tetë strehimore në nivel vendi, shtëpitë për komunitet, shtëpitë për të moshuar, SOS fshatrat e fëmijëve, Instituti Special i Shtimes dhe shfrytëzuesit e banesave sociale.

Kryetarja  Osmani falënderoi ekipin e Strehimores për punën që po bëjnë, teksa e vlerësoi të domosdoshme zbatimin e masave anti COVID-19.  “Duke mbrojtur shëndetin e kësaj kategorie, njëkohësisht mbrojmë edhe të drejtën për jetë”, ka theksuar Osmani.

Në këtë kontekst, Kryetarja e Kuvendit premtoi se do të jetë zë i fuqishëm në këtë institucion në mënyrë që strehimoret si kjo të marrin vëmendjen dhe mbështetjen e duhur institucionale.

Drejtueset e Strehimores theksuan nevojën për mbështetje më të madhe nga niveli qendror, posaçërisht nëpërmjet linjave të përhershme buxhetore, me të cilat mundësohet stabilitet në punën me viktimat e dhunës në familje, si dhe kategorive të ngjashme.

U vlerësua se është e nevojshme që institucionet shtetërore të prioritizojnë integrimin e kësaj kategorie dhe të organizojnë trajnime profesionale në mënyrë që të jenë pjesë aktive e tregut të punës.