Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, gjatë vizitës së tij zyrtare në Bruksel është takuar me përfaqësuesin e Parë të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë dhe Nënkryetar i Komisionit Evropian, Josep Borrell.

Siç thuhet në kumtesë, drita jeshile për fillimin e negociatave me RMV-në ishte demonstrim i gatishmërisë së BE-së, për të marrë vendime strategjike dhe vizionare edhe në kohëra sfiduese.

“Drita jeshile për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut ishte demonstrim i gatishmërisë së BE-së për të marrë vendime strategjike dhe vizionare edhe në kohëra sfiduese dhe të vështira të përballjes me krizën e shkaktuar nga pandemia e Covid-19. Si evropianë, së bashku përballemi me sfidën e virusit dhe vlerësojmë lartë ndihmën urgjente të BE-së të dhënë vendit tonë dhe rajonit në tërësi. Ky është momenti i duhur që BE-ja dhe vendet kandidate ta kuptojnë seriozisht rëndësinë dhe domethënien e solidaritetit dhe bashkëpunimit të ndërsjellë dhe për të punuar krah për krah për të tejkaluar pasojat socio-ekonomike të pandemisë”, tha Osmani.

Ministri Osmani dhe nënkryetar i Komisionit Evropian Josep Borell kanë biseduar edhe për dialogun Kosovë – Serbi, të cilët siç thuhet në kumtesën e MPJ-së, suksesi i dialogut Prishtinë – Beograd do të kontribuojë në tejkalimin e dallimeve dhe krijimin e një rajoni të qëndrueshëm dhe të sigurtë.