Ndërtimi i pakontrolluar i hidrocentraleve në malin Sharr, ka nxitur reagimin e shumë organizatave ekologjike, malore dhe të gjuetarëve. Aktivistët mbrëmë u mblodhën në sheshin e Tetovës nga ku edhe morën vendimin për nisjen e një fushate kundër ndërtimit të hidrocentraleve. Përveç protestave, ata thonë se do të ndjekin edhe aspektin juridik për ndalimin e këtij fenomeni.

Leshnicën ta mbrojmë dhe ta kthejmë në gjendjen e më parme. Kishte edhe disa sugjerime nga ekspertë të ndryshëm këtu që të veprohet edhe në aspektin juridik që të shkohet me kërkesë për respektimin e konventave evropiane dhe ligjeve ndërkombëtare për mbrojtje të Leshnicës, apo Smeraldit të Sharrit – deklaroi Hamdi Sulejmani Nisma “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit”.

Ndërtimi i hidrocentraleve, rrezikon humbjen e sasisë së ujit të pijshëm për tetovarët, por gjithashtu shkatërron florën dhe faunën e Malit Sharr, tha Dejan Doneski nga klubi malor i Shkupit.

Të gjithë e dimë se Mali Sharr mbrohet si park nacional por lumenjtë po shkatërrohen dhe thahen nga ndërtimi i hidrocentraleve të vogla. Me zvogëlimin e ujit në lumin Shkumbin rrezikohet edhe furnizimi me ujë të pijshëm në Tetovë, kështu që tetovarët do të kenë më pak ujë në vitet e ardhshme – tha Dejan Doneski, Kryetar i klubit malor të Shkupit.

Organizatat për mbrojtjen e mjedisit paralajmëruan marsh protestues të dielën në Leshnicë të Kodrës së Diellit.

Bashkim Sulejmani