Koronavirusi i rrezikshëm mori edhe një viktimë në Dibër. Bëhet fjalë për një burrë 54-vjeçar nga qyteti, i cili vdiq në kushte spitalore. Ishte i hospitalizuar për një kohë të gjatë në një institucion shëndetësor në Shkup.

Sipas statistikave të Qendrës për shëndet publik, ai është viktima e 14-të nga Kovid-19 në këtë rajon. Shikuar sipas komunave, gjashtë të vdekur janë nga Dibra, përderisa të tjerët janë nga Komuna Qendër Zhupë.

“Në 24 orët e fundit në Dibër nuk ka raste të reja me Kovid-19, me çka numri i përgjithshëm i të infektuarve mbetet 276. Në të njejtën kohë, katër persona e fituan betejën me virusin e rrezikshëm apo gjithsej 224 persona. Aktivë me sëmundjen janë 36 njerëz”, konfirmojnë kompetentët.

Shtojnë se shumica e të sëmurëve aktivë janë me formë të lehtë të sëmundjes dhe po mjekohen në kushte shtëpiake apo ambulancore në Spitalin e përgjithshëm në Dibër me simptome të virusit të rrezikshëm, gjithsesi këtu edhe mosrespektimi masiv i masave për mbrojtje, posaçërisht nga ana e popullatës së re, kompetentët presin që numri i rasteve të reja të rritet.