Orët e fundit është folur shumë për një përfshije të bujshme të Milanit në garën për të marrë talentin e Fiorentinës, Federico Chiesa, i cili do të rriste ndjeshëm forcën e kuqezinjve, por vetë Drejtori Teknik Paolo Maldini ka hedhur poshtë këto zëra.

“Chiesa është një futbollist shumë i mirë dhe natyrisht që do të na pëlqente ta shihnim një ditë me fanellën e Milanit, por të jem i sinqertë, deri tani që flasim nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë negociatë me Fiorentinën për këtë lojtar”, deklaroi Maldini.

Kuqezinjtë kanë ruajtur grupin që mbylli sezonin e kaluar dhe kanë bërë edhe disa afrime në merkato, ku më i spikaturi është talenti italian Sandro Tonali, ndërsa Maldini pranon se deri në fillim të tetorit priten të tjera përforcime.

“Objektivi primar ishte që t’i jepnim vazhdimësi grupit që mbylli sezonin e kaluar dhe më pas ta kompletonim me elementë të rinj. Mendoj se kemi lëvizur mirë dhe kemi shtuar freskinë e numrat në organikë, por në mbrojtje jemi pak në vështirësi për shkak të dëmtimeve. Gjithsesi kemi ende kohë deri në fillim të tetorit, për të kompletuar të gjithë repartet”, tha Maldini.