Odat ekonomike të Kosovës dhe Serbisë janë pajtuar që të krijojnë një grup punues, që do të ndihmojë qeveritë e të dyja shteteve për të zbatuar projektet e marrëveshjes së Uashingtonit, si dhe të ofrojë mbështetje për zbatimin e projekteve të infrastrukturës, energjisë dhe krijimit të vendeve të punës. Në rezidencën e ambasadorit amerikan në Beograd, Anthony Godfrey, u mbajt takimi i përfaqësuesve të odave ekonomike të Kosovës dhe Serbisë me delegacionin të Korporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit të Shteteve të Bashkuara. Kryeshefi ekzekutiv i Koorporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA, Adam Boehler, tha se Kosova dhe Serbia me marrëveshjen për normalizim ekonomik, kanë “të mirën e popullit dhe jo politikës”. Ndërkaq, i dërguari i presidentit amerikan për dialogun, Richard Grenell, tha se presidenti i SHBA-së, Donald Trump, vendosi në rend të parë çështjet ekonomike, sa i përket Kosovës dhe Serbisë.