Dosja e “Komitëve” që brohoritën thirrje anti-shqiptare kaloi nga policia në duart e prokurorisë. Ministria e brendshme njofton se ka dorëzuar në Prokurorinë Publike dosjen e 16 të dyshuarve për veprën penale gjuhë të urrejtjes. SPB-Shkup kumtoi se gjatë këtyre ditëve ka punuar në zbardhjen e dy rasteve ku ishin të përfshirë tifo grupi “Komitët” në Qendër me 13 dhe në Gjrqe Petrov me 19 shtator.

MPB

“Sot deri te Prokuroria Publike përkatëse paraqitëm raportin e duhur me të gjitha masat e marra dhe aktivitetet me qëllim të zbardhjes rasteve, verifikimin e fakteve lidhur me ngjarjet dhe identifikimin e personave të përfshirë në këto ngjarje, përmes sigurimit të video materialeve, bisedave informative.”

Një ditë pas ngjarjes kur “Komitët” me thirrje raciste në lagjen Gjorqe Petrov provokuan një kolon dasmorësh shqiptarë, policia ndaloi 16 të dyshuar. Nga Prokuroria Publike njoftojnë se do të ndërmerren të gjitha aktivitetet për procedurë para hetimore sipas Ligjit për procedurë penale.

Prokuroria Publike

“Me të marrë kallëzimet nga MPB, lënda shpërndahet tek prokurori përkatës publik, i cili nis të ndërmerr aktivitetet për procedurë para hetimore apo drejtpërdrejtë për procedurë hetimore.”

Nga organet e rendit dhe të hetuesisë apelojnë tek të gjitha tifo grupet dhe tek qytetarët që të përmbahen nga nxitja e urrejtjes apo dhunës në baza racore, etnike apo fetare. Raste të tilla nga tifo grupet ka pasur edhe më parë, por asnjëherë nuk kanë marr epilog gjyqësor. Sipas Kodit Penal ndëshkimi për veprën penale gjuhë të urrejtjes është nga 500-1.000 euro për çdo individ si dhe me burg nga 1-5 vjet.

Përgatiti: Adnan Qaili