Bota në masë të madhe nuk arriti ta mbrojë biodiversitetin, natyra pëson gjithnjë e më shumë dhe situata është duke u përkeqësuar, thuhet në raportin më të madh të OKB-së, transmeton agjencia gjermane DPA.

Raporti global për biodiversitet i KB-së përfundon se asnjëri prej njëzet qëllimeve për biodiversitet, të dakorduara para dhjetë vitesh me afatin përfundimtar deri në vitin 2020 nuk është realizuar në tërësi.

Vetëm gjashtë qëllime – lidhur me mbrojtjen e ekosistemeve dhe zhvillimin e qëndrueshmërisë janë “arritur pjesërisht”.

Veçanërisht janë rrezikuar ekosistemet e brishta, siç janë shkëmbinjtë koral dhe pyjet tropikale, ndërsa koraleve gjithnjë e më shumë u kanoset shfarosja, thonë shkencëtarët.

Peshkimi i tepërt, eksploatimi i madh, ndryshimet klimatike, ndotja e llojeve invasive janë disa prej arsyeve për humbjen e diversitetit biologjik dhe degradimi i ekosistemit.

Por, sipas raportit, ka edhe pika të ndritshme, përfshirë edhe uljen e shkallës së shkatërrimit të pyjeve, vetëdijen e rritur për biodiversitet dhe ruajtjen e tij, si edhe pjesëmarrje më të madhe të tokës dhe oqeaneve në planet të cilët janë të mbrojtur.

“Shumë gjëra të mira po ndodhin nëpër botë dhe ato duhet përshëndetur dhe inkurajuar”, tha Elizabet Maruma Mrema, sekretare ekzekutive e Konventës për diversitet biologjik, e cila e publikoi raportin.

“Megjithatë, shkalla e humbjes së diversitetit biologjik është pa precedencë në historinë e njerëzimit, derisa presionet janë duke u rritur. Sistemet e gjalla të Tokës si tërësi janë rrezikuar”, thotë ajo.

Mrema shtoi se degradimi i vazhdueshëm i natyrës i rrit mundësitë për përhapjen e sëmundjeve si koronavirusi i ri tek njerëzit.

Raporti bën thirrje për tetë ndryshime urgjente për ndalesën e zbulimit të natyrës përfshirë edhe ripërtëritjen e ekosistemeve, ridisejnimin e bujqësisë dhe konsumin e zvogëluar të mishit dhe peshkut.