Me 62 vota “pro” pak çaste më parë Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut ka emëruar zëvendësministrat e rinj të “Qeverisë Zaev 2”. Të pranishëm në sallë, në momentin e votimit kanë qenë 106 deputetë, ndërsa 44 kanë votuar “kundër” dhe asnjë nuk ka abstenuar.

Zëvendësministër i Mbrojtjes është votuar Bashkim Hasani, ndërsa zëvendësministër i Punëve të Brendshme Nazim Bushi, Agim Nuhiu është votuar si zëvendësministër i Drejtësisë.

Ilhan Rahman është votuar si zëvendësministër i cili do të udhëheqë Ministrinë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive, ndërsa Fatmire Isaku për zëvendësministër e Punëve të Jashtme.

Zëvendësministër i Financave është Dimitar Kovaçevski, në Ministrinë e Ekonomisë Zoran Manevski, ndërsa në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomizimit të Ujërave, Trajan Dimkovski.

Ilir Hasani zëvendësministër i Shëndetësisë, Arafat Shabani në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Enver Huseini në Ministrinë për Punë dhe Politikë Sociale, Zoran Dimitriovski në Ministrinë për Pushtet lokal, ndërsa Sedat Sulejmani në Ministrinë e Kulturës.

Për zëvendësministër të Shoqërisë Informatike dhe Administratës është votuar Aleksandar Bajdevski, në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve Bekim Rexhepi, ndërsa në Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Hristina Oxhaklievska.