Si gjithnjë po ndjek me shqetësim zhvillimet e fundit politike në Kosovë. Ende kam shpresë, se diçka do lëvizë, diçka do ndryshojë për mirë, falë mbështetjes së SHBA-së, Gjemanisë, etj. Kjo nuk mjafton, kur shikon sjelljen e klasës politike atje në lidhje me arritjen e marrveshjes me Serbinë, bëhesh pesimist dhe shumë mos besues. Çdo ditë e në vijim këto shpresa po shuhen dhe Kosova sipas gjithë gjasave po humb me një shpejtësi të rrufeshme elementët e “shtetformimit” të saj, falë “marrveshjeve” të dëmshme të nënshkruara me Serbinë. Në lidhje me këto bisedime kanë bërë vërejtje, sygjerime shumë politikanë, analistë dhe gazetarë të të ndershëm, patriot dhe atdhetar. Me dashamirësi jam munduar dhe unë të kontriboj modestisht për këto probleme, kam bërë disa shkrime kritike për politikanët e Kosovës, institucionet, dhe shoqërinë civile. Për qasjen e gabuar në lidhje me bisedimet Kosovë Serbi. Gjithashtu kam dhënë dhe alternativa për zgjidhje, për të dalë nga kjo “tallava” e dirigjuar dhe orkestruar nga Beogradi dhe Vuçiçi, për të ardhur deri te suksesi në këto bisedime, që në mendimin tim nuk ka për të ardhur kurrë. Qofsha i gabuar! Shpresoj se do ndodhë e kundërta! Po çfar ndodh me ne si shoqëri? Asnjë reagim, e njejta situatë, i njëjti qëndrim, të njëjtat gabime, madje dhe më foshnjore, më përulëse ndaj Serbisë. Këto sillen si të pa gabueshëm, të gjithditshëm, si eruditë, apo si baballarët e kombit… E përball tyre, Serbia gjithnjë fituese! E konsoliduar dhe me objektiva të qarta. Objektivi i saj, çbërja e shtetit të Kosovës dhe e pavarësisë së saj. Heshtje dhe përulësi e palës sonë! A thua se Serbia do lëshojë pe kësaj radhe? JO. Fare jo! Çfar mediokriteti infantil! Përsëri heshtje, heshtje dhe trishtim, nga e gjithë shoqëria! Heshtin disa media, heshtin “ustallarët” e vjetër, thonë ndonjë fjalë për konsum të brendshëm politikanët qeveritarë dhe vazhdojnë avazin e vjetër të vasalitetit me Serbinë. Heshtin institucionet, heshtin intelektualët, hesht në shumicën e rasteve dhe opozita! Pse kështu?
Shumica e mediave nuk i botojnë shkrimet kritike ose i botojnë me shënimin “ky nuk është qëndrimi i redaksisë”! Sa keq për to! Kush na qenka qëndrimi i redaksisë, ana e kundërt, mbështetja e Serbisë…! Përse kjo heshtje, që në fund të fundit, vret? Kujt i shërbejnë ato? Çështë kjo shurdhëri e frikshme? Kur do zgjohemi? Çfar tregon ky gjumë letargjik si shoqëri? Ku janë komandantët që shkëlqyen në betejat e UÇK-së dhe luftën për liri? Pse e humbën paqën në këto 20 vjet ish komandantët në drejtimin e shtetit të Kosovës? Pasuria! Ajo të verbon sytë, të shkëput nga baza nga vjen. Shoqëria përse hesht? Kjo heshtje vret në çdo kohë. Kam qenë optimist se një ditë do ketë një Nëntor të Tretë, për shqiptarët, për Kosovën! Siç po shkojnë punët në Kosovë, paskam qenë i gabuar! Unë përsëri besoj, prapë shpresoj, shpresa vdes e fundit. Me këto politikanë shpresa ka vdekur! Ato duhen larguar, duhen larguar me çdo mjet demokratik! E si mund të vijë një Nëntor i Tretë për shqiptarët, pa një “Skënderbe” apo pa një “Ismail Qemal”, kështu mud të vijë? Kurrë jo! Madje sot në këtë “shekull” të shqiptarëve, me “ndihmën” shërbimeve sekrete serbe dhe jo vetëm, Skënderbeun e “paskemi” me origjinë “sllave”. Pak veta, pak akademikë flasin, po kujt i shërben kjo? Natyrisht Serbisë. Si mund të “denigrojnë” figurën më të madhe kombëtare? Heshtje! Trishtim! Indiferentizëm vdekjeprurës! Ku janë futur akademikët? Përse nuk e thonë fjalën e tyre shkencore ato? Ato marrin dhe para nga taksat, përse heshtin?
Si mund të vijë një Nëntor i Tretë për Kosovën kur nuk “ka më” Ismail Qemal, Adem Demaç apo Adem Jashar? Për fatin tonë të keq, këto na mungojnë sot. Kështu më rezulton mua. Po kur do mësojmë nga historia? Të gjithë popujt e botës e kanë “mësuese” historinë, nxjerrin mësime prej saj. Ne, të veçantë, se përfillim, nuk mësojmë prej saj! Sa keq për këto “politikanë”! Ky është dhe turpi i tyre. Politikanët e Kosovës, abuzuan me shtetin në këto 20 vite, rendën pas pasurisë, harruan luftën legjendare të UÇK-së, harruan dëshmorët dhe idealin e tyre, nuk mbajtën asnjë premtim, u treguan shumë të dobët dhe mjaft inferior në bisedimet me Serbinë. Bënë mbi 35 marrveshje, shumica në dëm të Kosovës. Pranuan në heshtje akuzat e Dik Martit, nuk bënë asnjë padi ndaj Serbisë, ndaj kriminelëve të luftës, nuk vendosën “autoritetin” e shtetit në veri. Një pjesë e politikaneve bënë plane për ndarjen e Kosovës, i falën dhe 8.2 ha tokë Malit të Zi, krijuan dhe Gjykatën Speciale etj. Sot me gjithëse kanë mbetur me gishtin e mesit në gojë, prapë dërdëllisin, bëjnë thirrje për “çbërje” të Gjykatës Speciale”, të cilën e ngriti vetë Thaçi!
Po shoqëria kosovare përse hesht? Kur do flasë? Atëherë do jetë vonë, shumë vonë, tmerresisht vonë!
Çfar bën kundërshtari, Serbia? Të qetë, sillen si burra shteti në realizimin e planeve të tyre, kanë politikë standarte ndaj Kosovës, kanë platformën disa shekullore në dëm të saj, kanë institucione të konsoliduara, kishat me prona dhe përsëri bëjnë thirrje se “Kosova dhe Metohia” është zemra e Serbisë. Vuçiç megjithëse e ka humbur përfundimisht Kosovën, përsërit se nuk ka për ta njohur kurrë atë. Kjo ka qenë deviza e tij, nga fillimi i bisedimeve deri në fund. Mendoj se kështu do qëndrojnë deri në fund, ndaj mos besoni në iluzione të kota dhe mos toleroni armikun.
Po, politikanët tanë në Kosovë, çfar qëndrimesh mbajnë? Këto janë pa bosht kurrizor, dredharakë, me dy fytyra, të pa qëndrueshëm, pa vizion, pa dinjitet kombëtar të pa përgjegjshëm në qëndrimet ndaj Serbisë! Mos u sillni kështu me shtetin dhe popullin, të nderuar politikanë? Ju jeni të përkohshëm, dhe emri nuk do t’ju përmendet më pas, ndërsa Kosova do jetë e përhershme. Mos luani me të, dhe fatet e saj! Këtë mos kujtoni se do t’jua falë shqiptaria.
“Nëntorin e Tretë” e solli UÇK-ja por ai mbeti në mes të rrugëtimit të tijë. Udhëheqësi dhe drejtuesi i saj, Adem Jashari u vra, dhe sot Kosova lëngon, edhe falë mungesës së tij! Kombe të tjerë për gjatë historisë së tyre kanë humbur “njerëz” të tillë si Adem Jashari, kanë humbur herojtë e tyre dhe për të çuar deri në fund veprën, amanetin, dhe kauzën e tyre janë bashkuar, kanë shtërnguar radhët, kanë punuar në ekip, dhe i’a kanë arritur qëllimit final të tyre, pavarësisë dhe shtetndërtimit. A nuk është ky një model dhe standart që duhet ndjekur nga politikanët e Kosovës? Ku pyesin këto për modele, vlera e standarte. Modeli më i “mirë” për, to, është vjedhja, shkatërrimi i shtetit, lufta për pushtet, mania për tu pasuruar, “bashkëpunimi” me kundërshtarin vetëm e vetëm të mbajë pushtetin, lufta e ndyrë politike ndaj kundërshtarit politik, siç qe rasti ndaj, Kurtit. Të gjtha këto modele nuk janë veprime e qëndrime shtetarësh të denjë e të civilizuar, por veprime anadollake që i përkasin mesjetës dhe atyre revolucioneve “fshatare” që dështonin ende pa u nisur. Ende unë shpresoj në të kundërtën, pavarësisht se kjo kastë e vjetër politike po e “vret” çdo ditë shpresën. Eshtë e kotë të besosh në të kundërtën kur politikanët e qeveritë në këto 20 vjet, nuk kanë bërë asnjë aktakuzë për kriminelët serbë të cilët kanë vrarë 13.000 vetë, kanë përdhunuar mbi 20.000 femra, kanë zhdukur pa lënë gjurmë dhe sot e kësaj dite mbi1600 të persona, kanë bërë gjenocid, kanë djegur e shkatërruar Kosovën. Përse kanë vepruar e veprojnë kështu kjo kastë politike? Po si është e mundur të besosh në drejtësi kur nga 39 persona të akuzuar e dënuar nga Gjykata Speciale vetëm 4 persona janë serbë, 1 malazez dhe 34 të tjerë janë shqiptar? Me këto shifra Serbia “kthehet” nga agresore në viktimë. Për fat të keq tonin, ja ka arritur qëllimit! Sa keq për këto politikanë, sa turp për to! Po viktimë është Serbia o “esadistë”? JO! Ajo është agresore dhe armike e betuar për Kosovën dhe gjithë shqiptarët.E pra, me veprimet e mosveprimet tuaja, ajo ka fituar terren. Çfar bëjnë institucionet e Kosovës, Akademia e Shkencave dhe Arteve? Presin! Heshtin! Marrin rrogat! Ushqehen! Po institucionet fetare pse heshtin ndaj çështjes kombëtare? Pse nuk shohin qëndrimet e patriarkut serb në Kosovë? Apo e kanë syrin për në Turqi! Turqia ka ardhur këtu, me dy xhamiat e mëdha, në mes të dy kryeqyteteve tona. Ku është çështja kombëtare për to? Ska problem, kemi Turqinë, duam babën! Kohë, Qamil Xhamete, në vitet 20 të shekullin 21! Po si ka mundësi që për çdo pjestar të UÇK-së ka dosje, ka aktakuzë nga Serbia, dhe cilësohen si “terroristë” dhe këto komandantët kapadaij nuk shqetësohen fare?
Po si është e mundur që “komandanti legjendar” Thaçi, tani President, të mos i mbroj ish pjestarët e UÇK-së Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, por i lëshon ato në duart e Gjykatës Speciale? A nuk është turp për të dhe Qeverinë të braktisin kreun dhe zevendësin e Organizatës së Veteranë të Luftës? Kjo është drejtësia? Naturisht jo! Krerët e shtetit mjaftohen vetëm me nga një postim në feizbuk. Dosjet që u dorëzuan në selinë e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UCK-së janë enigmë, por erdhën në tre ditë, dhe me paralajmërimin prej tyre se do sjellim dhe të tjera! Natyrshëm lindin disa pyetje: Përse nuk u ruajt nga policia Selia e Veteranëve? Përse nuk u arrestuan “korierët”, e më pas të sqarohej situata? Përse nuk veproj Prokuria e Kosovës? Po shërbimi informativ? Ky është shteti, këto janë shtetarët. “Fajin” na e paskan dy drejtuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së Hysni Gucati dhe Nesim Haradinaj! Sa turp për shtetin! Po, Gjykata Speciale nuk mban përgjegjësi për rrjedhjen e informacionit, për dosjet e dorëzuara atje? Apo u desh preteksti? Po, u desh ai, që të arrestoheshin dy figurat e nderuara të UÇK-së.
Fundja përgjegjësia është individuale, çdo njeri le të përgjigjet para drejtësisë për veprimet e tij, pas luftës. Një gjë është e sigurtë Lufta e UÇK-së është e lavdishme. Ajo është vlerë, dhe vlerat mbesin të tilla. UÇK-ja e bëri punën e saj, na e solli te, Nëntorit i Tretë, na solli lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Vazhdimin, ecurinë, formimin e shtetit, funksionimin e tij e ka në dorë populli. Ai duhet të zgjohet nga gjumi letargjik, kjo klasë politike është e dështuar, le ta marrë situatën në dorë dhe me mjete demokratike të qaset ndryshe ndaj bisedimeve me Serbinë. Në të kundërt, Nëntori i Tretë, është i dështuar për Kosovën! Marrveshjen e 4 korrikut nuk e shfrytëzuan në interesin tonë. Heqja e pikës 10, për njohje reciproke, me këmbënguljen e Serbisë, qe gabim fatal për Kosovën dhe shtetin e saj. Unë, megjithëse skeptik, madje shumë, sërish kam besim te SHBA-ja dhe BE- ja. Shpresojmë që Kosova me mbështethen e tyre, ta fitojë dhe këtë sfidë të vështirë, por jo të pamundur. Kjo arrihet me zgjedhje të lira, unifikim qëndrimi mbar shqiptar, me një qeveri e politikanë të rinj e të devotshëm, dhe jo me sojin i tyre që janë ende në pushtet. Shteti i Kosovës mund të jetoj vetëm me kufijtë aktual, pa ndarje. Kosova si shtet dhe ekonomi mund të jetoj me Ujmanin, Trepçen dhe Staritergun si resurse ekonomike të fuqishme. Kosova në bisedimet e ardhshme me Serbinë duhet ti thotë prerë: Jo, Asociacionit të Komunave me shumicë serbe me kopetenca ekzekutive. Ky do ishte fundi i shtetit të Kosovës. Kjo duhet ndaluar.
Apeli im për popullin e Kosovës dhe politikanët e rinj është: Zgjohuni nga gjumi, mbroni shtetin e Kosovës, dhe mos lejoni bosnjëzimin e tij. Ky është momenti, rasti dhe shansi për të ruajtur shtetin e fituar me shumë gjak dhe sakrifica mbinjerëzore!

IBRAHIM KABILI
Tiranë më 27. 09. 2020