Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, z.Artan Grubi realizoi takim pune me homologun e tij nga Republika e Kosovës,
zëvendës kryeministrin e parë z.Besnik Tahiri.

Zëvendëskryeministri i parë Grubi në deklaratën e tij për media tha se me kolegun e tij Tahiri kanë diskutuar për ecurinë euro-atlantike të Kosovës dhe atë evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ai gjithashtu tha se praktikat më të mira të vendit tonë do t’i vëmë në dispozicion të institucioneve të Kosovës.

“Fqinjësia jonë është e shkëlqyer, Kosova me Maqedoninë e Veriut nuk kanë asnjë çështje të hapur, përkundrazi marrëdhëniet tona janë të jashtëzakonshme dhe do të vazhdojmë t’i kultivojmë në mënyrën e njëjtë. Lidhur me pandeminë, diskutuam me zëvendëskryeministrin Tahiri dhe qëndrimi im është se kufijtë tanë duhet të liberalizohen për nga shembulli i kufijve mes Kosovës dhe Shqipërisë të cilat janë të hapura dhe keni lëvizje të jashtëzakonshme mes dy vendeve, në veçanti gjatë sezonit turistik dhe transmetimi i infektimeve me COVID-19 nga Shqipëria në Kosovë apo anasjelltas ishte minimal dhe ky shembull duhet të na shërbej dhe neve për t’i liberalizuar kufijtë, jo vetëm me fqinjin tonë Kosovën por edhe me fqinjët tjerë përreth,” deklaroi Grubi.

Ndërkohë zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Republikës së Kosovës Besnik Tahiri tha se me Grubin ka diskutuar për tre tema që kanë rëndësi të madhe për Republikën e Kosovës e për të cilat ka marrë garanci nga Grubi se do të jenë në ndihmë të tyre.

“E para është procesi i integrimit Evropian dhe marrja e shembullit të Sekretariatit të Maqedonisë së Veriut edhe për Kosovën. Pika e dytë ka të bëjë me rrugën 12 km, pra segmenti Shkup-Bllacë i cili për ne është shumë i rëndësishëm pasi që mendoj se kjo rrugë do të lidhë edhe më shumë dy vendet tona duke ndihmuar lëvizjen e njerëzve por edhe bashkëpunimin ekonomik, këtu mora zotime se punët kanë filluar. Pika e tretë ka të bëjë me pandeminë, për mua është e palogjikshme që ne të kemi një sistem të testimit dypalësh derisa me Shqipërinë kemi kufi të hapur është e hapur, mendoj se duhet të shqyrtojmë të gjitha mundësitë, normal duke ruajtur shëndetin publik që të lehtësojmë komunikimin e qytetarëve.

Të dy zëvendëskryeministrat e parë Grubi dhe Tahiri ranë dakord se Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Kosovës kanë dhe do të vazhdojnë të mbajnë marrëdhënie të mira dypalëshe dhe që synim i të dyja vendeve është integrimin në Bashkimin Evropian.