Facebooku ka thënë se mund të ndalojë së operuari në Evropë, fal rregullave të reja që ndikojnë se si barten të dhënat nga Bashkimi Evropian për në SHBA.

Aplikacioni bazë i Facebookut dhe po ashtu Instagrami mund të largohen nga Evropa, raporton “Business Insider”.

Kompania ka dorëzuar një deklaratë vullnetare nën betim me fakte të shkruara në Gjykatën e Lartë të Irlandës më 10 shtator.

Facebook ka sfiduar urdhër preliminar të lëshuar më herët këtë muaj nga institucioni monitorues i të dhënave private në Irlandë, Komisioni i Mbrojtjes së të Dhënave (DPC), që kishte kërcënuar Facebookun nga transferimi i të dhënave të BE-së për në SHBA nga shqetësimi i privatësisë.

“Në rast se ndalohet plotësisht transferimi i të dhënave në SHBA, siç duket se ka propozuar DPC-ja, nuk është e qartë se si aplikuesi, në këto rrethana, do të mund të ofronte shërbimet e Facebookut dhe Instagramit në BE”, ka thënë Yvonne Cunnane, kreu i mbrojtjes së të dhënave të Facebookut në Irlandë, duke shtuar se Facebooku ka 410 milionë përdorues aktivë në Evropë.

Një zëdhënës i Facebookut ka mohuar se kjo përbën rrezik nga tërheqje nga BE-ja.

“Facebooku nuk po kërcënon që të tërhiqet nga Evropa. Dokumentet ligjore të dorëzuara në Gjykatën e Lartë të Irlandës përbëjnë një realitet të thjeshtë se Facebooku, dhe shumë biznese tjera, e organizata dhe shërbime, mbështeten nga transferimi i të dhënave nga BE-ja për në SHBA, në mënyrë që të operojnë”, ka thënë zëdhënësi. “Mungesa e një bartje të dhënave ndërkombëtare në mënyrë të sigurtë dhe të ligjshme, do të përbënte dëme financiare, pikërisht në kohën kur po shikojmë të rikuperohemi nga COVID-19”.