Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski sot realizoi takim me drejtorin e Sekretariatit të Komunitetit të transportit, Matej Zakonjshek me të cilin biseduan për zbatimin e Marrëveshjes për komunitetin transportues i cili është në pajtim me procesin e filluar të integrimit të shtetit tonë në strukturat evropiane.

Ministri Bllagoj Boçvarski e potencoi rëndësinë e realizimit të projekteve në pjesën e infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore të Korridorit 8 dhe 10 si pjesë e Korridoreve panevropiane.

“Në takim hapëm edhe pjesë të çështjeve për bashkëpunim dhe ndërlidhje më të madhe me vendet e rajonit. Besoj se Marrëveshja për themelim të komunitetit transportues në afat më të gjatë, do të kontribuojë për efikasitet të përmirësuar, shpenzime më të ulëta dhe cilësi më të mirë të shërbimeve për shfrytëzuesit e transportit, përmes hapjes së tregjeve dhe përforcimit të konkurrencës. Shpresoj se përmes zbatimit të Marrëveshjes për komunitetin transportues tërësisht do të integrohet rajoni në Familjen transportuese evropiane dhe do ta plotësojë politikën e zgjerimit të komunitetit”, deklaroi Boçvarski.

Siç kumtoi Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, Boçvarski shprehi falënderim për mbështetje të vazhdueshme për proceset eurointegruese të Republikës së Maqedonisë së Veriut.