Ndërkohë që mësimin online më 1 tetor duhet ta ndjekin nxënësit e shkollave që nuk siguruan leje për mësim me prani fizike, dy ditë para fillimit të vitit shkollorë, platforma nacionale e krijuar për këtë qëllim schools.mk, u bllokua. Kjo ngjalli furi reagimesh në opinion. Në arsyetimin e saj, Ministria e Arsimit, që gjatë fundjavës informoi se kjo platformë është në dispozicion të nxënësve, mësimdhënësve dhe prindërve, sot tha se vazhdojnë të bëhen testime.

Ministria e Arsimit:

“Testimi është pjesë e procesit të arritjes së funksionalitetit të plotë të platformës, dhe në fazën e provës të gjitha sfidat zbulohen dhe kapërcehen. Në mënyrë që të sigurohet një platformë plotësisht funksionale deri në fillim të vitit shkollor, testet do të vazhdojnë në ditët në vijim. Aktualisht janë duke u bërë të gjitha përgatitjet, testimet dhe optimizimet e platformës.”

Pas bllokimit të platformës nacionale, sot reaguan edhe nga VMRO-DPMNE nga ku thanë se platforma e promovuar nga MASH nuk i rezistoi testimit as 30 minuta. Marija Miteva nga partia opozitare maqedonase tha se LSDM-ja ka shkaktuar kolaps të plotë të sistemit arsimorë në vend. Sipas saj platforma u tregua jofunksionale, ndërkohë që disa prindër kanë shpenzuar rreth 20 mijë denarë për laptop.

Që kur nxënësit dhe mësimdhënësit morën udhëzimet për të punuar me këtë platformë, e njëjta është treguar plotësisht jofunksionale. Fillimisht nuk kishin as qasje në platformë dhe më pas as që mund të kyçeshin. Një nga arsyet kryesore për mosfunksionim të platformës është ngarkesa. Si do të mundësohet për dy ditë qasje dhe funksionim i plotë i kësaj platforme?”-tha Marija Miteva -VMRO-DPMNE.

Gjatë fundjavës, nxënësit morën profilet dhe fjalëkalimet e tyre personale për t’u kyçur në platformën online. Rekomandimi ishte që të hynë në sistem me një fjalëkalim të dhënë, të ndryshojnë atë dhe të mos e harrojnë, pasi që krijimi i një profili të ri në këtë pikë është një proces i komplikuar.