Zëvendëskryeministri i Qeverisë i angazhuar për çështjet ekonomike, koordinim me resurset ekonomike dhe investimet, Fatmir Bytyqi priti sot ambasadorin e Republikës së Francës, HristianTimonie, të cilin e falënderoi për përkrahjen e vazhdueshme gjatë gjithë mandatit të tij në realizimin e proceseve të eurointegrimeve në vendin tonë.

Zëvendëskryeministri Bytyqi dhe ambasadori Timonie biseduan edhe për bashkëpunimin ekonomik në mes dy vendeve, i cili ka potencial të lartë dhe perspektivë për t’u avancuar nga viti në vit.

Në takim u bisedua edhe për praktikat të cilat zbatohen me përkrahjen e Fondit të Gjelbër Klimatik në të cilin parashihen projekte për përmirësimin e mjedisit jetësor, ballafaqimin me ndryshimet klimatike dhe efikasitetin energjetik që janë në harmonizim me Qëllimet për zhvillimin ne qëndrueshëm dhe Agjendën 2030 të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

“Zëvendëskryeministri dhe ambasadori biseduan edhe për avancimin e bashkëpunimit të ndërsjellë, ku Timonie theksoi se nëpërmjet Agjencisë Franceze për Zhvillim do të përkrahen projekte nga më shumë fusha, të cilat do të jenë të rëndësishme për zbatimin e reformave të nevojshme në rrugën drejteurointegrimeve të Maqedonisë së Veriut”, thuhet në komunikatë.

Zëvendëskryeministri Bytyqi ambasadorit Timonie i uroj shumë sukses në karrierën e mëtutjeshme dhe shprehu falënderim të jashtëzakonshëm për angazhimin e tij në cilësinë e ambasadorit në vendin tonë, për përkushtimin personal si dhe për pjesëmarrjen në të gjitha aktivitetet.