Në Spanjë kthehet izolimi, edhe pse jo në nivel kombëtar. Rritja e rasteve ditore me covid-19, detyron 850 mijë banorë të Madridit të zbatojnë kufizimet e reja. Spanja raporton numrin më të lartë të të infektuarve me koronavirus në Europë. Shumë vende të hemisferës veriore po përgatiten për një valë të dytë të pandemisë me afrimin e dimrit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë thirrje për kujdes të shtuar, në mënyrë që të ulet niveli i përhapjes. Franca regjistroi numrin më të lartë të rasteve ditore, që prej shpërthimit të pandemisë. Ndërsa, Britania e Madhe është vënë në lëvizje për të reduktuar sa më shumë efektet e një valë të dytë, e cila në këto momente duket e pashmangshme.

“E kemi parë në Francë, në Spanjë dhe kudo përreth Europës. Kam frikë se kjo është e pashmangshme dhe vendi do të përjetojë një valë të dytë. Prandaj ndërmorëm ato masa që hynë në fuqi të hënën”, tha Boris Johnson, kryeministër i Britanisë së Madhe në një dalje për mediat.

Qeveritë që shpresojnë të shmangin bllokimet e dyta kombëtare kanë futur masa të reja duke përfshirë mbylljen e klubeve të natës, shtetrrethimin dhe maskat e detyrueshme në hapësirat publike.

Duket qartazi se Evropa po përgatitet për fazën tjetër të kësaj beteje me Covid-19, një virus i pabesë që ndryshon vazhdimisht…