Dënimi më i rëndë i parashikuar nga Kodi Penal i Shqipërisë, është kërkuar nga prokuroria e Vlorës për Hysnie Hoxhallarin dhe të dashurin e saj Kasem Pirjasin, të cilët akuzohen për vrasjen e burrit dhe vjehrrës së gruas.

Pretenca për dy të pandehurit, të cilët në kohën e ngjarjes akuzohet se kishin lidhje intime, u dha ditën e sotme në gjykatë.

Nusja e shtëpisë Hysnie Hoxhallari, aktualisht 34 vjeçe u arrestua në janar të vitit 2018, e akuzuar se bashkë me të dashurin e saj Kasëm Pirjasi, aktualisht 28 vjeç, kryen krimin në bashkëpunim.

Pas arrestimit, gruaja ka treguar në polici se si ndodhi gjithçka.

Ajo ka thënë se ka qenë Kasëmi ai që vrau burrin e saj Olsi Hoxhallarin, 43 vjeç dhe vjehrrën e saj 73-vjeçare Salkien, teksa këta të fundit po ngroheshin me sobën e zjarrit në shtëpinë e tyre të vjetër.

Hysnia tregoi se bashkëfshatari i saj me të cilin kishte një lidhje intime prej disa vitesh, kishte shkuar në shtëpinë e saj enkas për të vrarë “rivalin” në dashuri.

Kjo pasi 43-vjeçari kishte ardhur për festat e fundvitit në shtëpi dhe nuk dihej se kur do të largohej. Në këto kushte, i malluar për “dashurinë” e hershme të tij, ai planifikoi vrasjen e ndodhur më 21 janar 2018.

Hysnia pretendon se pasi Kasëmi i qëlloi me mjetin prerës, e ka ndihmuar këtë të fundit për ti vënë zjarrin shtëpisë, për të humbur gjurmët. /a.y/noa.al