Një zyrtar komunal në Shtime ka ndërruar jetë. Në moshën 34 vjeçare, Afrim Tafa humbi jetën pasi ishte i infektuar me Covid-19.

Kështu ka bërë të ditur drejtori për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Shtimes, Musa Baftiu, i cili tha se i ndjeri kishte probleme me mushkëri.

“Po ka qenë i infektuar me koronavirus. Ka qenë duke u trajtuar në mjekimin intenziv në QKUK. Përveç infektimit, nuk e di nëse ka pasur sëmundje të tjera shoqëruese. Ka qenë një djalë i shëndoshë, nuk është ankuar shumë. Ka pasur pak probleme me mushkëri”, ka thënë Baftiu për Sinjalin.

Stafi i komunës së Shtimes shprehu ngushëllime ndaj familjarëve, duke theksuar se i njëjti për disa vite radhazi kishte kryer punën e tij me shumë përkushtim.

Kosova po vazhdon të përballet me situatën e krijuar nga pandemia COVID-19, ku numri i të vdekurve i konfirmuar deri sot pasdite ishte 284.

Numri i të infektuarve është 9 mijë e 492, kurse 5.346 kanë arritur të shërohen.