Me një ceremoni solemne sot në shkollën e fshatrave Strellcë-Garanë të komunës së Kërçovës, u vendos gurthemeli për ndërtimin e sallës së re sportive e cila do të krijojë kushte maksimale për kultivimin e vlerave sportive.

“Sot ne vendosim gurthemelin për ndërtimin e një salle sportive tepër moderne dhe në përputhje me të gjitha standartet sportive, një objekt që do të jetë në funksion të nxënësve të kësaj shkolle”, tha ministri i Arsimit dhe Shkencës Arbër Ademi, i cili uroi që nga ky mjedis shkollor të dalin sportistë të vërtetë, me rezultatet e të cilëve do të mburremi jo vetëm në nivelin nacional por edhe më gjërë.

Ndërkaq kryetari i komunës së Kërçovës Fatmir Dehari, u shprehu mirënjohje ministrave Arbër Ademi dhe Kreshnik Bekteshi si dhe të gjithë atyre që kontribuan për fillimin e punimeve në këtë objekt sportiv që do të krijojë mundësinë e afirmimit të vlerave sportive tek nxënësit dhe të rinjtë e këtij vendbanimi.

Ky projekt kap vlerën e 24 milion denarëve dhe sipas planifikimit punët ndërtimore pritet të finalizohen brenda afatit 9 mujor.