Autoritetet shëndetësore gjermane kanë zbuluar vatër të re të virusit korona në rrethin Gepingen, në veri të Shtutgartit, ndërsa bëhet fjalë për maturantë të cilët, sipas mediave gjermane, janë infektuar derisa ishin në pushim në Kroaci.

Portali gjerman T-online.de informon se virusi korona është konfirmuar te dhjetë maturantë pas kthimit nga Kroacia.

Maturantët ishin në ishullin Pag, ndërsa udhëtimin e tyre e ka organizuar agjencia turistike e specializuar për udhëtime argëtuese.

Zëdhënësja e rajonit Gepingen sqaroi se së pari janë zbuluar nëntë raste, ndërsa pastaj edhe i dhjeti dhe se të gjithë janë në izolim. T-online.de bën të ditur se maturantët i kishin vërejtur simptomat e para pas kthimit nga pushimi.

Në pushim ishin 15 prej tyre, ndërsa 50 persona me të cilët kishin kontakt janë në karantinë tashmë dy javë.

T-online.de shton se ka ende të infektuar të cilët ishin kthyer nga vende të tjera dhe shtete federale të Gjermanisë.

Hajnc Pehler, udhëheqës i institutit të shëndetit publik në rrethin Gepingen, deklaroi se virusi korona për momentin zbulohet gjithnjë e më shpesh te persona të cilët kthehen nga Ballkani.

“Ky rast qartë e tregon rrezikun nga udhëtimi dhe organizimi i ahengjeve gjatë pandemisë dhe sa shpejtë virusi mund të përhapet në një grup”, transmeton “Uellt”.