Komisioni Rregullator i Energjetikës nuk guxon të zhbëhet si organ nëse duam të anëtarësohemi në Bashkimin Evropian, thotë njeriu i parë i Komisionit, Marko Bislimovski, për Alsat. Sipas tij, në çdo vend ekziston një lloj organi për rregullimin e çmimeve dhe për këtë arsye kërkesa e qytetarëve e shprehur në protestë është e pabazë.

“Trupi rregullator ekziston në të gjitha vendet dhe nëse e zhbëjmë një organ të tillë që vendosë për çmimet e derivateve të naftës, ngrohjes, energjisë elektrike, do të jemi një vend joserioz, i cili do të mbyllë kapitullin e energjetikës për t’u anëtarësuar në BE. Nëse të gjitha ndërmarrjet e energjisë elektrike kërkojnë të operojnë me humbje këtë vit, ne do të ndryshojmë çmimin e energjisë elektrike brenda 24 orëve, por kjo do të ketë pasoja në të gjithë veprimtarinë ekonomike në vend”- deklaroi Marko Bislimovski, Kryetar i Komisionit Rregullato.

Për Qeverinë, protesta e djeshme është e drejtë demokratike, por ato nuk kanë kompetenca për vendimin e Komisionit Rregullator si institucion i pavarur. Në periudhën e ardhshme, ata do të shqyrtojnë nëse ka nevojë të merren masa për të përmbushur nevojat e qytetarëve.

“Vendimi për rritjen e çmimit të energjisë elektrike merret nga Komisioni Rregullator i cili është organ rregullator i pavarur dhe Qeveria nuk ndërhyn në kompetencat dhe punën e komisioneve dhe agjencive të pavarura. Në periudhën e ardhshme, Qeveria do të ndjekë ndikimin e vendimeve të organeve të pavarura dhe do të shqyrtojë nëse ka nevojë për masa të përshtatshme për të mbështetur standardin e qytetarëve- thanë nga Qeveria.

Reagoi edhe Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë, duke kërkuar nga institucionet të rishqyrtojnë vendimin sepse i njëjti është i shpejtuar. Për ta, e gjithë barra do të bjerë mbi qytetarët, kështu që nëse çmimi i energjisë elektrike mbetet i lartë, atëherë shteti duhet të rrisë pagat dhe pensionet.