Tani për tani gjendja me rrjedhat ujore është stabile dhe nuk janë regjistruar rritje të posaçme dhe dalje nga shtretërit të lumenjve, informon Qendra për Menaxhim me Kriza, për gjendjen me reshjet që e përfshinë vendin.

Sipas informacioneve të marra nga qendrat rajonale të menaxhimit të krizave deri në orën 12, pas shirave të mëdha që përfshinë Qytetin e Shkupit dhe zonën përreth, deri më tani nuk janë marrë raporte për derdhje dhe probleme nga reshjet.

Nga NP “Ujësjellësi dhe Kanalizime” – Shkup informojnë se ekipet e tyre me cisterna dhe cisterna vakumi kanë punuar për largimin e ujit në vendet kritike të qytetit, ku në situata të tilla zakonisht mblidhet sasi e madhe e ujit Aktualisht situata është normalizuar.

Në telefonin 195, siç thuhet, është marrë njoftim për një pemë të rrëzuar, e cila iu është transmetuar personave përgjegjës në NP “Parqe dhe Gjelbërim” – Shkup për kompetencën dhe procedurën e tyre të mëtejshme.

EVN Shkup raporton se të gjitha defektet po sanohen relativisht shpejt dhe nuk janë regjistruar ndërprerje të mëdha dhe të zgjatura në furnizimin me energji elektrike.

Aktualisht ka probleme në vendkalimin kufitar Bllacë me rrethinë (komuna e Çuçer Sandevës) dhe fshatrat në Komunën e Zelenikovës.

Nga reshjet e mëdha të shiut në territorin e Manastirit, Prilepit, Resnjës, Krushevës dhe Demir Hisarit nuk ka dëme. Nivelet e lumenjve janë rritur por pa rrezik nga derdhja.

Në rajonin e Strumicës nga reshjet e shiut dhe moti i ligë ka pasoja në komunën e Bosillovës.

Në territorin e Ohrit, Strugës, Dibrës, Kërçovës dhe Makedonski Brodit, për shkak të shiut, niveli i shtretërve të lumenjve është rritur, por tani për tani nuk ekziston rreziku i derdhjes së tyre.

Autoritetet, siç thuhet, do të përcaktojnë gjithashtu dëmet nga era e fortë që zgjati për një orë.

Në rajonin veriperëndimor të mbuluar nga QRMK Tetovë (Tetovë dhe Gostivar), nuk ka informacione për ndërtesa të përmbytura ose për rrjedhje të lumenjve dhe përrenjve, ndërsa niveli i rrjedhave ujore është ngritur, por deri më tani nuk ekziston rrezik nga derdhja.

DPHM për sot paralajmëron mot kryesisht me vranësira me reshje të shpeshta të shiut. Lokalisht do të ketë zhvillim të motit jostabil me reshje të rrëmbyeshme, bubullima dhe erë të përforcuar. Gjatë ditës si dhe gjatë natës sërish pritet të reshin sasi të mëdha mbi 35 litra në metër katror.

Në ditët në vijim vazhdon periudha e motit me vranësira të ndryshueshme, jostabil dhe të freskët me reshje të kohëpaskohshme të shiut dhe bubullima.