Erdhi te Juventusi për ta ndihmuar të fitojë Ligën e Kampionëve, por pavarësisht se vetë ka bërë goxha mirë në fushën e lojës, Cristiano Ronaldo nuk ka pasur mbështetjen e bardhezinjve dhe nuk ia ka dalë t’i udhëheqë drejt ngritjes lart të trofeut “me veshë të mëdhenj”.

Portugezi nuk e ka fshehur zhgënjimin në përfundim të ndeshjes me Lyonin, ku shënoi dy herë në fitoren 2-1, që gjithsesi nuk mjaftoi për të çuar bardhezinjtë në çerekfinale, ndërsa tani Ronaldo është nisur me pushime, por paralajmëroi se do të marrë vendimet e duhura për të ardhmen.

Ndërkohë sot mediat franceze kanë raportuar për kontakte mes drejtuesit të Paris Saint Germain, Leonardo dhe menaxherit të portugezit, Jorge Mendes, të cilët kanë folur paraprakisht për transferimin e CR7-ës në “Parkun e Princave”.