Në Shkup sonte u mbajt protestë kundër shtrenjtimit të energjisë. Pjesëmarrësit në protestë janë mbledhur në Parkun “Zhena Borec” dhe në parkun e Çairit, ku pastaj u drejtuan para godinës së Qeverisë.

“Në kushte të pandemisë, kur shumë qytetarë humbin punën dhe kur ua ulin pagat, shumë qeveri në Evropë e ulën çmimin e energjisë derisa vazhdon kriza. Por te ne nuk është kështu, Te ne e shtrenjtuan energjinë. EVN, MEPSO, ESM kanë pësuar për shkak të krizës. A nuk pësojnë qytetarët? Çfarë është më me rëndësi? Përfitimet e kapitalistëve dhe strehimit të ushtarëve partiakë ose standardin jetësor të qytetarëve të thjeshtë? Nuk duhet të lejojmë këtë goditje në kurrizin tonë! Ta ngrejmë zërin tonë! Nga ne varet” Të bashkohemi, maqedonas, shqiptarë, romë, turq dhe të tjerë, të bashkohemi dhe të kundërshtojmë! Të mos u lejojmë t’u kalojë shtrenjtimi i energjisë”, theksuan organizatorët.

Ata kërkojnë urgjentisht shfuqizimi të vendimit të fundit të Komisionit Rregullator për Energjetikë për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, Qeveria ta shpërbëjë Komisionin Rregullator për Energjetikë, organ që u shërben interesave të grupeve afariste dhe korporatave në kurrizin e qytetarëve, formim të trupit të pavarur të arbitrazhit në shërbim të qytetarëve që të kontrollohet cilësia e shërbimeve energjetike, qeveria t’i kthejë kompanitë private për shpërndarje të energjisë elektrike nën administrim të shtetit dhe uljen e çmimit të energjisë elektrike për 46 për qind (heqjen e 33 për qind të çmimit për angazhimin e fuqisë e cila para disa viteve në faturën e energjisë elektrike ishte komponentë e veçantë dhe pastaj të përfshirë në çmimin e përgjithshëm, ndërsa zbritjen TVSH nga 18 për qind në 5 për qind).

“Qeveria urgjentisht ta shfuqizojë marrëveshjen famëkeqe me EVN-në, distributorin privat të energjisë elektrike me RMV-së, që me vite e ka keqpërdorë monopolin e dhënë nga Qeveria, faljen e të gjitha interesave nga faturat e EVN-së që qytetarët deri më tani nuk i kanë paguar sepse konsiderojmë se faturat e larta të gjeneruara nga EVN-ja janë shkaku kryesor për mospagimin e tyre në kohë. Duke pasur parasysh çmimin e lartë të energjisë elektrike me rritjen e çmimit për më shumë se 230 për qind në 14 vitet fundit, konsiderojmë se qytetarët kanë paguar edhe interes dhe interes mbi interes me pagesën e atyre faturave. Kjo është arsyeja për këto fatura astronomike e konsiderojmë për të paligjshme dhe plaçkitje ligjore”, potencuan organizatorët.

Protestën e mbështesin Duam Çair të Pastër, Agimi Socialist, Konfederata të Organizatave Sindikale, Fridays for Futurе.

Sot, gjithashtu, protesta kundër shtrenjtimit të energjisë janë mbajtur edhe në Tetovë, Gostivar, Dibër, Kërçovë dhe Strugë.