Në sheshin e qytetit në Kërçovë sot u mbajtën protesta të qeta kundër shtrenjtimit të energjisë.

Në protestë janë përfshirë pjesa më e madhe e bashkësive lokale të Komunës së Kërçovës dhe shumë qytetarë të tjera pa ngjyra partiake, të cilët haptazi dhanë mbështetje të Këshillit Nismëtar për protesta kundër shtrenjtimit të energjisë.

Interesant në shenjë të mbështetjes një pjesë e madhe e objekteve hotelerike janë bashkuar në protestën dhe i mbyllën lokalet e tyre nga ora 18 deri në orën 18.30.

Organizatorët e protestës që u zhvillua nën moton “Edhe Kërçova proteston kundër EVN-së”, theksojnë se ata janë organizuar si reagim të shtrenjtimit të energjisë dhe nuk kanë kurrfarë prapavijë politike, thjesht kërkesat janë me karakter socio-ekonomik.

Ata kërkojnë shfuqizim të vendimit për shtrenjtimin e energjisë, uljen e çmimit të energjisë për 46 për qind, ulje të TVSH-së prej 18 në 5 për qind, si dhe shpërbërjen e Komisionit Rregullator për Energjetikë.

Ata konsiderojnë se nevojitet organ i pavarur i arbitrazhit që do ta rregullojë dhe vlerëson shërbimin të cilin qytetarët e marrin nga kompanitë energjetike.