Palestinezët refuzojnë marrëveshjen mes Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe

Të gjitha fraksionet palestineze, përfshirë edhe Hamasi dhe Xhihadi Islamik, lëshuan deklarata ku dënuan marrëveshjen mes Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.

Marrëveshja në mes të këtyre dy shteteve zoton normalizimin e plotë të marrëdhënieve në fushat e sigurisë, turizmit, teknologjisë dhe tregtisë, në shkëmbim me vazhdimin e planit të aneksimit të Bregut Perëndimor nga ana e Izraelit, shkruan Al Jazeera.

Edhe udhëheqësit palestinezë edhe populli u kapën në befasi kur u bë lajmërimi të enjten. Bregu perëndimor është vendi ku palestinezët dëshirojnë të themelojnë shtetin e tyre, transmeton KOHA.

“Ne absolutisht nuk kemi pasur dijeni për këtë marrëveshje”, tha Ahmed Majdajani, ministri për marrëdhënie sociale i Autoritetit Palestinez. “Koha dhe shpejtësia me të cilën u arrit kjo marrëveshje ishte befasuese, posaçërisht në një moment kritik për çështjen Palestineze”.

Ish ministri i Autoritetit Palestinez Munib al-Masri tha se Sheikh Zayed bin Sultan al Nayhan, i cili udhëhoqi Abu Dabin për më shumë se 30 vite para se të vdiste në vitin 2004, ka qenë gjithmonë përkrahës i madh i palestinezëve.

“Sheiku i ndjerë ka qenë si vëlla imi, e di sa ka qenë krenar për përkrahjen ndaj Palestinës. Kurrë nuk kam paramenduar se do të vjen dita kur Emiratet do të shesin Palestinën vetëm për normalitet”, tha Al Masri. “Është e turpshme, ende nuk mund ta besoj”.

Zyrtarët tjerë Palestinezë thanë që edhe pse lajmi erdh papritur, nuk ishte edhe ndonjë befasi.

“Nuk u befasuam sepse ushtria Emirate kurrë nuk ka qenë tek kufijtë, e gatshme për të luftuar kundër Izraelit” tha Mustafa al-Barghouti, anëtar i parlamentit.

Udhëheqësit palestinezë thanë se kjo marrëveshje ishte “një dhuratë falas Izraelit” dhe është bërë për të ndihmuar Trumpin në rizgjedhje, njëjtë si kryeministrin e Izraelit Benjamin Netanyahun. Ata po e quajnë këtë lëvizje si thikë në shpinë.

Pavarësisht dëshpërimit, palestinezët thonë se lajmi i së enjtes nuk do të ndalë vendosmërinë e tyre që ti japin fund okupimit nga Izraeli.