Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) mbrëmë bëri të ditur se gjatë 24 orëve të kaluara është konfirmuar rekord prej 262.929 raste nga virusi korona.

Numri i rasteve të vdekjes u rrit për 5.851 me çka gjithsej 680.894 persona kanë ndërruar jetë si pasojë e Kovid-19, ndërsa numri i të infektuarve u rrit në 17.660.523.

Statistika e OBSH-së është bazuar në të dhënat e konfirmuara zyrtare të vendeve.

Numër më i madh i të infektuarve – 9.476.763 të regjistruar janë në Amerikën Jugore dhe Veriore. Për një ditë numri i të infektuarve u rrit për 156.433, ndërsa numri i të vdekurve u rrit për 3.963, me çka numri i përgjithshëm i rasteve të vdekjes u rrit në 359.180.

Në Evropë janë konfirmuar 3.375.535 raste të Kovid-19 dhe 213.284 raste të vdekjes. Gjatë 24 orëve të kaluara numri i të saposëmurëve u rrit për 17.419 persona, ndërsa numri i rasteve të vdekjes për 323.

Në Azinë Juglindore për një ditë janë konfirmuar 58.971 raste dhe 937 persona kanë ndërruar jetë si pasojë e virusit korona. Numri i përgjithshëm i të infektuarve në ato rajon u rrit në 2.131.165, ndërsa që nga fillimi i pandemisë kanë ndërruar jetë 45.837 persona.

Për nga numri i personave të infektuar në vend të parë janë SHBA-ja me 4.523.888 raste të konfirmuara, vijojnë Brazili me 2.662.485 raste dhe India me 1.750.723 persona të infektuar.

Në vendin e katërt është Rusia me 850.870 të sëmurë, në vendin e pestë Republika Jugafrikane – 503.290 raste, pastaj Meksika – 424.637 dhe Peruja me 407.492 persona të infektuar.

Në vendin e dhjetë vendeve të para në botë për nga numri i të infektuarve janë edhe Kili me 357.658 raste, Irani me 306.752 të sëmurë dhe Britania e Madhe me 303.956 të infektuar me virusin korona.