Shoqata “Thirrjet e Nënave” ka kërkuar që të jetë pjesë e dialogut Kosovë-Serbi.

Së paku një përfaqësues i familjarëve të të zhdukurve duhet të jetë pjesë e dialogut, kërkojnë nga kjo shoqatë.

Prindërit e Kosovës kanë shprehur mllefin dhe zhgënjimin e tyre ndaj Qeverisë aktuale dhe të gjitha qeverive që ishin në pushtet që nga paslufta për mosangazhim të duhur dhe injorim të zbardhjes së fatit të të zhdukurve gjatë luftës 1999 nga forcat serbe.

Kryetarja e shoqatës “Thirrjet e Nënave”, Nystrete Kumnova, ka thënë për “Zërin” se duan të përfshihen në delegacionin për dialog me Serbinë.

“Ne jemi gjithmonë të pakënaqur, të zhgënjyer dhe gjithherë kemi pasur dëshirë që të jemi pjesë e dialogut, sepse ndryshe flas unë si nënë dhe në emër të gjithë familjarëve e ndryshe flet ai që nuk e ka askënd”, tha Kumnova.

Ajo tha se për çështjen e të pagjeturve po flitet kalimthi nga kryeministri aktual dhe të gjithë kryeministrat paraprakë, si dhe të gjithë deputetët.

Të zhdukurit, sipas Kumnovës, janë kategoria më e anashkaluar dhe pa përkrahje nga institucionet e vendit.

“Për çështjen e të pagjeturve flitet shumë pak kalimthi. Po e them kështu sepse ata e dinë që familjarët nuk i kemi gjetur ende dhe i përcjellim në çdo seancë me vëmendje sesa seriozisht flitet për çështjen e të pagjeturve dhe prej secilit kryeministër flitet kalimthi sa për t’i dëgjuar ne se gjoja po interesohen. Harrohet pastaj, që do të thotë se është barazi me zero. Kjo kategori është e anashkaluar me të gjitha gjërat që na takojnë dhe nuk e kemi përkrahjen financiare dhe as përkrahje të institucioneve”, tha ajo.

Në seancën e fundit plenare në Parlament deputetët e akuzuan qeverinë “Hoti” që nuk e ka në agjendë çështjen e të zhdukurve, teksa kryetarja e shoqatës “Thirrjet e Nënave” Nesrete Kumnova tha se deputetët e kanë akuzuar me vend, por që sipas saj edhe të zgjedhurit e popullit duhet të jenë më këmbëngulës në këtë çështje e jo të kalojë seanca me përçarje.

“Mendoj që edhe deputetët duhet të jenë më këmbëngulës, sepse më shumë po shkon seanca me përçarje me kundërshtime personale e nuk po i kushtojnë çështjes së Kosovës për çfarëdo kërkesa që ka populli. Ata janë të zgjedhurit e popullit dhe çdo kërkesë që ka populli duhet të shqyrtohet seriozisht dhe të aprovohet”, theksoi kryetarja Kumnova.

20 vjet nga mbarimi të luftës në Kosovë ende nuk dihet fati i 1 mijë e 643 personave.