Shkencëtarët mendojnë se Marsi dikur mund të ketë qenë i banueshëm ndaj mund të popullohet edhe nga njerëzit në të ardhmen. Këto hipoteza të tyre pritet t’i provojnë dy nga robotët e posaçëm që nisin udhëtimin drejt planetit të kuq.

Agjencia Amerikane e Aeronautikës dhe e Hapësirës po kthehet për herë të nëntë në planetin e Marsit me misionin, këtë radhë, për të gjetur shenja jete nga e shkuara.

Një mjet me rrota i gjeneratës së fundit, i pajisur me një minihelikopter eksplorues, pritet të zbresin në sipërfaqen e planetit të kuq pas shtatë muajve.

Projekti i ka kushtuar NASA-s rreth 2 miliardë e gjysmë dollarë dhe ka për synim identifikimin e zonave që dikur mund të kenë pasur kushtet e domosdoshme për rritjen e organizmave, të analizojë formacionet shkëmbore për fosile, të mbledhë mostra nga terreni dhe të testojë prodhimin e oksigjenit në atmosferën e Marsit përpara dërgimit të njerëzve në planet.

“Marsi dikur ka qenë i mbuluar me ujë, të paktën hemisfera veriore e tij ka qenë dy e treta oqean. Ka qenë i ngjashëm me Tokën por pyetja që kemi është a ka qenë realisht i banueshëm. Për këtë mision do zbresim në Kraterin e Xhezeros, një ish-liqen i formuar 3 miliardë vite më parë. Sot është tharë, sigurisht, por mendojmë se po të ketë pasur shenja jete në Mars, ai është vendi i parë ku duhet të shohim.”

Administratori i NASA-s, Xhim Brajdënstajn, tregon se roboti 1-tonësh që do udhëtojë në Mars vitin e ardhshëm përmban teknologjitë më moderne si të fotografimit, edhe të komandimit.

Por risia është minihelikopteri 1,8-kilogramësh që gjendet në barkun e sondës, dhe që do skanojë terrenin nga sipër për ta ndihmuar robotin të shmangë pengesat gjatë lëvizjes në Mars.

T mobile In article [1]

Për shkak të baterisë, fluturimet do të zgjasin jo më shumë se 90 sekonda, ngritja nga toka do të kufizohet në 5 metra dhe distanca nga sonda jo më tepër se 300 metra.

“Kjo do jetë hera në historinë e njerëzimit që një helikopter yni fluturon në një botë tjetër. Komandat nga ne jepen 7 minuta më herët dhe roboti është programuar që të operojë i pavarur.”

NASA pritet të testojë edhe teknologjinë e kthimit të dioksidit të karbonit në oksigjen të pastër për të provuar a mund të jetë Marsi një planet i banueshëm për njerëzit në të ardhmen.

Gjetjet dhe dhjetëra mostra të mbledhura në planetin e kuq pritet të mbërrijnë në Tokë vetëm në vitin 2031.

Më herët gjatë muajit, Kina dhe Emiratet e Bashkuara Arabe ishin dy ndër shtetet që dërguan robotët e tyre eksploruese drejt Marsit.