Qeveria gjermane do të ndajë 10,56 milionë euro ndihmë për Shqipërinë për të menaxhuar pasojat socio-ekonomike nga Kovid-19.

Këtë e kumtoi ambasadori gjerman në Tiranë, Peter Zingraf në takimin me ministren e Financave dhe Ekonomisë së Shqipërisë, Anila Denaj.

“Gjermania do t’i sigurojë Shqipërisë, fond shtesë prej 10,56 milionë euro në kuadër të bashkëpunimit ekonomik dhe teknik mes dy vendeve, për periudhën 2020-2021, për të menaxhuar pasojat nga pandemia me Kovid-19. Mjetet do të dedikohen posaçërisht në mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, zhvillimin dhe promovimin e tyre, por edhe zonat rurale dhe arsimin profesional”, deklaroi Zingraf.

Ministrja Denaj vlerësoi mbështetjen e Qeverisë gjermane dhe vëmendjen ndaj sektorëve prioritarë në vend për vitet e fundit.

“Gjermania mbetet partner strategjik për zhvillimin ekonomik të vendit tonë, por edhe brenda proceseve integruese në BE. Angazhimi i rritur dhe mbështetja në situatat pas tërmetit dhe pandemisë janë dëshmi e bashkëpunimit të fuqishëm dypalësh. Prioritetet e përbashkëta dhe orientimi i punës së Qeverisë dhe partnerëve gjermanë në sektorët më të rëndësishëm në ekonomi dhe në jetën e qytetarëve, janë thelbësore në bashkëpunimin e vazhdueshëm”, theksoi Denaj.

Të dy vlerësuan përparimin e reformave në korniza të integrimit të Shqipërisë në BE dhe gjatë kohës së presidencës gjermane me Këshillin e BE-së.