Mandati për formimin e Qeverisë së re është në duart e Zoran Zaev. Në mesditë presidenti Stevo Pendarovski, i dorëzoi mandatin për formimin e Qeverisë, kreut të LSDM-së, siç tha në bazë të Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut, ndërsa nuk komentoi asgjë tjetër, pasi dha deklaratën për dorëzimin formal të së drejtës për formimin e Qeverisë së re.

“Për mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut e përcaktoj Zoran Zaevin- deklaroi StevoPendarovski, president i RMV-së

Kreu i LSDM-së Zoran Zaev tha se si mandatar, do të vazhdojë negociatat me partitë tjera, për të formuar Qeveri e cila do të punojë për integrim në BE, zhvillim ekonomik, luftimin e krimit dhe korrupsionit dhe për reforma në gjyqësor, përfshirë edhe deklarimin e pronës së arritur nga politikanët. Zaev nënvizoi se takimi i sotëm me kreun e BDI-së Ali Ahmeti realizohet me qëllim që të respektohet vullneti i qytetarëve.

“Besoj se sot, nesër, pasnesër, në ditët në vijim do të bëjmë hap para nëse udhëhiqemi nga perceptimi i asaj që qytetarët na thanë ne politikanëve dhe na udhëzuan të bisedojmë. E shohim se LSDM që një nga temat dominonte si obligim në zgjedhje e kishte ‘BDI në opozitë’, tani negocion me BDI-në, kështu që edhe BDI duhet të jetë fleksibile sepse qytetarët vendosën më shumë mandate ti japin koalicionit” Mundemi” të udhëhequr nga LSDM dhe Zoran Zaev- pohoi Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.

Zaev nuk deshi të komentojë se a është i gatshëm të bëjë kompromis për kërkesën kryesore politike të BDI-së e që është marrja e pozitës së kryeministrit, ashtu siç premtoi në fushatë. Nuk ka dashur të deklarohet as për variantin kohor 3 plus 1, që do të thotë një vit vendi të ketë kryeministër shqiptar. I pyetur se a shpreson që ta drejtojë qeverinë në 4 vite, ai u përgjigj pozitivisht por u shpreh se çdo vendim do të merret në interes të barazisë së qytetarëve. Por kryetari i BDI-së tha se marrja e mandatit për formimin e Qeverisë nga ana e Zaevit, nuk shuan shpresat për negociata të suksesshme me BDI-në.

“Nuk mendoj se sot përmbyllet gjithçka. Mendoj se bisedimet vazhdojnë dhe përpjekjet bëhen për të gjetur gjithë të përbashkët për interesa të shtetit. // Gjërat nuk janë në drejtim të keq, njëherë e kam deklaruar po e them edhe një herë, gjërat janë shumë afër, po aq sa janë edhe larg- tha: Ali Ahmeti, kryetar i BDI.

Zaev ka afat 20 ditësh për të formuar shumicë parlamentare dhe Qeveri, në të kundërtën, mandati do të bartet te VMRO-DPMNE-ja, si partia e dytë me më shumë mandate.