Pasojat nga pandemia e Kovid-19 u ndjenë edhe në ndërmarrjen publike Parkingjet Publike dhe Gjelbërimi në Gostivar. Katër muajt e fundit të ardhurat janë ulur për rreth 80 për qind.

Me punën momentale dhe rrjedhën e mjeteve mbulohen pagat e të punësuarve dhe intervenime eventuale sipas nevojës. Goditje shtesë ndaj punës së ndërmarrjes është edhe mosardhja e mërgimtarëve.

Drejtori i ndërmarrjes Bekim Çelebiu vlerëson se gjendja e tillë do t’i ulë në masë të madhe edhe investimet dhe realizimin e projekteve kapitale për këtë vit.

Analizat për periudhën prej marsit deri në korrik të këtij viti kanë treguar se gati dyfish janë ulur të ardhurat në NP Parkingjet Publike dhe Gjelbërimi.

Sipas Çelebiut, në këtë periudhë mezi kanë arritur të sigurojnë mjete për pagat e 69 punëtorëve, ndërsa është intervenuar vetëm aty ku ka qenë e patjetërsueshme.

“Statistika jonë tregon se për dallim nga viti 2019, periudha mars-korrik, këtë vit kemi ulje të buxhetit të kompanisë prej 79 për qind. Në këtë ndikoi pandemia dhe para së gjithash mungesa e mërgimtarëve. Kjo ka ndikim negativ”, tha drejtori Bekim Çelebiu.

Ai sqaron se ka rënie në shitjen e biletave njëorëshe për parkim njëjtë si edhe e numrit të marrëveshjeve mujore dhe vjetore. Shërbimi i merimangës në këtë periudhë aspak nuk ishte në funksion.

“Në këtë periudhë të vitit të kaluar kishim shitje të biletave njëjavëshe, njëorëshe, mujore. Këtë vit, krahas shitjes së biletave, është ulur edhe numri i marrëveshjeve të lidhura për parkim. Të ardhurat nga parkingjet u ulën, gjithashtu, ulje ka edhe të të ardhurave nga SMS-porositë”, tha Çelebiu.

Për shkak të gjendjes në punën financiare, udhëheqësia e ndërmarrjes do të jetë e obliguar që ta shtyjë realizimin e gati të gjitha investimeve dhe projekteve të planifikuara. Kështu këtë vit do të investohet minimalisht.

“Sot punuam në ruajtjen dhe rregullimin e hapësirave të gjelbra përgjatë qytetit. Për momentin punojmë në mini-projekt për rregullimin e shëtitores re lumi Vardar, duke filluar nga ura te Gjykata Themelore deri te ura e vogël te spitali. Aty do të zëvendësohen të gjitha karriget, shportat për mbeturina dhe do të ngjyroset një pjesë e shtegut që do të dedikohet për çiklistët. Në këtë mënyrë kjo pjesë do të ndahet nga ajo për këmbësorët”, nënvizoi njeriu i parë i NP Parkingjet dhe Gjelbërimi Publik.

Këto ditë në ndërmarrje punojnë në program, i cili do të mundësojë që të realizohen investimet e planifikuara dhe shfaqin optimizëm se në periudhën e ardhshme situata do të përmirësohet.