Prokuroria Themelore Publike Shkup ngriti propozim për dhënie të urdhëresës ndëshkuese kundër dy personave për vepër penale mosveprim sipas dispozitave shëndetësore gjatë pandemisë sipas nenit 206 paragrafi 1 i Kodit Penal.

Të akuzuarit, kumtuan sot nga Prokuroria Publike e Republikës të Maqedonisë së Veriut, kanë vepruar në kundërshtim me Vendimin për ndalesë të mbajtjes dhe mbledhjes së tubimeve masive dhe ngjarjeve në hapësirë të hapur dhe të mbyllur prej çdo lloji, me të cilën janë përfshirë tubimet publike dhe private.

“Ata për festën e Kurban Bajramit, në oborrin e shtëpisë së tyre, kanë organizuar aheng familjar ku ishin të pranishëm 60-80 mysafirë. Për të akuzuarit, prokurori publik kompetent propozoi dënim në para nga 100 gjoba ditore me vlerë individuale të gjobës ditore prej 25 euro në kundërvlerë të denarit”, sqarojnë nga Prokuroria Publike.

Kundër dy personave tjerë, prej të cilëve njëri është shtetas kosovar, Prokuroria Themelore Publike Shkup, ka ngritur propozim akuzues për vepër penale mosveprim sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë sipas nenit 206 paragrafi 1 i Kodit Penal.

Në kundërshtim të Vendimit dhe protokolleve për hapje të objekteve hotelierike për ushqim, me të cilat ndalohet organizimi i ahengjeve në pjesë të hapur dhe të mbyllur të objektit, nënvizohet në kumtesë, ata kanë organizuar aheng me rastin e fejesës së djalit të njërit të akuzuar në objektin hotelierik në pronësi të të akuziuarit tjetër. Në aheng kanë marrë pjesë rreth 15 mysafirë.

Kundër 18 personave, Prokuroria Themelore Publike Shkup, sërish ka dorëzuar propozime për dhënie të urdhëresave ndëshkuese për shkak të mosrespektimit të Vendimit për ndalesë dhe regjim të veçantë për lëvizje në territorin e Republikës të Maqedonisë së Veriut.

“Gjatë orës së mëparshme policore, personat pa leje kanë qarkulluar në lokacione të ndryshme në qytet. Për këto të akuzuar deri te Gjykata Themelore Penale Shkup janë propozuar dënime në para prej 100 gjobave ditore me vlerë individuale prej 20 euro në kundërvlerë të denarit”, kumtuan nga PP.