Ndërmarrja publike komunale “Tetova” kumtoi se pas punës intensive përfundoi sanimi i defektit në rrjetin e ujësjellësit për shkak të gypit të dëmtuar F300 në rrugën “Cvetan Dimov” në Tetovë. Megjithatë, sot në mëngjes në Tetovë akoma nuk ka ujë në disa amvisëri, ndërsa sipas informatave jozyrtare janë paraqitur probleme dhe defekte të reja në rrjetin e ujësjellësit, për çka informata priten gjatë ditës nga kryesia e NPK “Tetova”.

Për shkak të defektit të madh, rreth 60 për qind e qytetit u përball me ndërprerje të furnizimit me ujë. Mbi 12 orë u nevojitën për t’u sanuar defekti dhe pati ndërprerje në furnizimin me ujë në qytet. Pasi që e filluan dje në orën 11:30, punëtorët e NPK sanimin e përfunduan rreth mesnate, pas çka një pjesë e madhe e amvisërive u furnizuan me ujë.

Kryetarja e Komunës, Teuta Arifi në Fejsbuk kumtoi se të punësuarit nga njësia Ujësjellësi dhe kanalizimi pranë NPK “Tetova” punuan 12 orë pa ndërprerje në kushte të reshjeve të rrëmbyeshme të shiut për ta mënjanuar defektin e madh në ujësjellësin e F-300 të rrjetit kryesor në Tetovë në rrugës deri te Stacioni i policisë në Tetovë.

“Si rezultat i këtij defekti, pjesa më e madhe e qytetit të Tetovës mbeti pa ujë të pijshëm. Dëshiroj t’i falënderoj këta njerëz për punën e tyre të palodhshme që zgjati deri në orët e vona dhe që na mundësoi neve, qytetarëve, sërish të kemi ujë, pa marrë parasysh faktin se jemi në sezonin e verës dhe në pandemi, kur uji është primar dhe nevojë thelbësore, I falënderoj qytetarët për durimin, solidaritetin dhe mirëkuptimin që i patën gjatë ditës së djeshme në periudhën pa ujë të pijshëm, por më së shumti përkushtimin dhe sakrificën maksimale të punëtorëve të NPK “Tetova” për ta kthyer në gjendje funksionale sistemin për furnizim me ujë të Tetovës”, shkroi Arifi në Fejsbuk.