Ministria bjelloruse e Punëve të Brendshme kumtoi se mbrëmë janë arrestuar edhe 700 demonstrues, në ditën e katërt të protestave paszgjedhore, të cilat u shuan me dhunë. Me këtë, numri i përgjithshëm i të arrestuarve u rrit në 6.700 prej fillimit të protestave.

Ministria vlerësoi se trazirat “e humbën karakterin masiv”, por se “niveli i agresionit ndaj forcave të sigurisë ende është i lartë”.

Në kumtesën e MPB-së bjelloruse ceket më tej se javën e kaluar janë lënduar 103 policë, prej të cilëve 28 janë në spital.

Ministria nuk kumtoi sa është numri i demonstruesve të lënduar, kundër të cilëve policia përdori gaz lotsjellës dhe shufra gome, si dhe plumba gome dhe shok bomba.

Mijëra bjellorusë protestuan mbrëmë në Minsk dhe qytete të tjera të vendit, ndërsa mediumet lokale lajmërojnë se edhe gjatë pasdites ka pasur qindra njerëz në rrugë.

Sot nëpër rrugët e Minskut doli edhe një pjesë e personelit mjekësor, të cilët shprehën solidaritet me të lënduarit në protesta.

Gjithashtu, pakënaqësinë e vet e shpreh[n edhe muzikantët nga Salla koncertale e Bjellorusisë.

Sipas rezultateve zyrtare të zgjehdjeve presidenciale që u mbajtën të dielën, Llukashenko fitoi 80 për qind të votave, ndërsa kundërshtarja e tij, Svetllana Tihanovskaja 10 për qind.

Demonstruesit po dalin në rrugë çdo natë të javës dhe kërkojnë numërim të ri të votave.

Shefi i diplomacisë evropiane, Zhozep Borell u bëri thirrje autoriteteve bjelloruse ta ndalojnë dhunën dhe pa shtyrje t’i “kthehen rrugës së sjelljes së vërtetë demokratike”.