Ekipi i Kosovës në xhudo i përfundoi sot, e shtunë, përgatitjen nëntëditore në Poreç të Kroacisë, ku stërvitjet u bënë bashkë me ekipin kroat të xhudos.

Ekipi i Kosovës prej 13 xhudistëve i udhëhequr nga trajneri Driton Kuka dhe asistenti i grupmoshave të reja Fatos Tabaku, udhëtuan javën e kaluar në Poreç të Kroacisë për përgatitjet e para ndërkombëtare pas pandemisë.

Ata morën pjesë në kampin e organizuar nga Federata kroate e xhudos, ku pjesëmarrës ishte i gjithë ekipi kombëtar i Kroacisë.

Federata e Xhudos e Kosovës ka bërë të ditur se përgatitjet u mbajtën duke respektuar të gjitha rregullat për parandalimin e përhapjes së  virusit COVID-19.

Të gjithë pjesëmarrësit ishin të obliguar të testohen para pjesëmarrjes në këtë përgatitje.