Mesazh për Kurban Bajramin, 2020

“Me të vërtetë që Ne të kemi dhënë ty shumë të mira, andaj, falu (vetëm) për Zotin tënd dhe therr kurban” (El Keuther 1-2)

Të dashur bsimtarë, motra e vëllezër!
Myslimanët anekënd botës e dinë që i kanë dy festa: Fitër Bajramin dhe Kurban Bajramin! Më lejoni që nga thellësia e shpirtit t’ua uroj Bajramin e Kurbanit!
Çka është kjo festë? Çka paraqet kjo festë? Pse e festojmë?
Bajrami i Kurbanit shënon momentin e mbajtjes së premtimit si dhe vlerën e të qenurit (trashëgimtar) i mbarë! Ibrahimi a.s. e luti Krijuesin e Universit që t’ia falte një fëmijë, të cilin madje do të ishte i gatshëm që ta therrë kurban për hirë të Plotëfuqishmit! Djali i tij, Ismaili a.s., kur kuptoi se në çfarë situate gjendet prindi i tij, këmbënguli që të çohet në vend premtimi. I pari i kishte premtuar Zotit, i dyti iu nënshtrua premtuesit të Zotit. Zoti i shpërbleu me jetë, ndërsa premtimi u kry duke u therrur kurban në emër të Zotit një kafshë e butë! E bëri urdhër “falu për zotin tënd dhe therr kurban”!
Kjo festë paraqet gatishmërinë permanente të myslimanit të devotshëm për ta sakrifikuar gjënë më sublime në emër të Krijuesit të Gjithësisë. Zoti nuk ka nevojë për sakrifikimet tona, por, ai na mëson që gjithnjë të jemi të nënshtruar para Tij, gjithmonë të dimë dhe të besojmë fuqishëm se ai na sheh, ai na dëgjon, ai nuk mund të gënjehet. Myslimani tashmë ka premtuar se gjithmonë do t’i nënshtrohet Krijuesit të vet, Allahut Fuqiplotë dhe ky premtim duhet të mbahet deri në frymën e fundit! Këtë premtim e mbajnë myslimanët e devotshëm, ata që përbëjnë “Ushtrinë e Allahut”. Sakrifikimet tona në emër të Allahut xh.sh. duhet të kenë karakterin e humanitetit, të kenë vlerë humane, të kenë peshën e veprimit që shton kënaqësinë e Allahut! Sakrificë është të gëzosh jetimin, të varfërin, fukaranë, prindërit, fëmijët, bashkëshorten, komshiun, qoftë me një kafshatë bukë, me një ndihmë sado e vogël qoft ajo, me dashuri të sinqertë, me harmoni; sakrifikim është edhe përpjekja e parreshtur që gjithnjë të jeshë i mbarë. Pse kjo sakrificë? Sepse, kështu do Zoti ynë, sepse vetëm kështu mund të dëshmojmë se jemi ymeti i Tij, sepse ai vetëm kështu na do, sepse, fundja, ky është urdhër i Zotit. Urdhërat e Zotit nuk respektohen vetëm në taborrin e “ushtrisë së shejtanit”!
Motra e vëllezër, pse e festojmë Kurban Bajramin?
Është çasti që shënon përfundimin e Haxhit, daljen prej ihramit! Lindim të pastër dhe therrim kurban në emër të Allahut i cili na fali nga të gjitha mëkatet, na bëri si ata të posalindurit. I gëzohemi këtij çasti të cilin e përjetojnë të gjithë vëllezërit dhe motrat tona që kryejnë Haxhin, me lutje e me dëshirë që të gjithë myslimanët në botë, përjetë, të jenë në gjendje për ta pëjetuar këtë çast të sakificës në emër të Allahut xh.sh.
Janë shumë të pakta ato raste që flasin për kryerje të Haxhit nën kushte shëndetësore çfarë i kemi këtë vit. Si myslimanë jemi të urdhëruar që, në raste pandemie, as mos të shkojmë gjëkundi por as mos të dalim nga ai vend ku na ka zënë pandemia. Kjo për arsye që asnjë mysliman në botë nuk guxon të jetë as bartës e as shpërndarës i sëmundjeve ngjitëse si dhe pandemike. Për këtë shkak, sivjet nuk ka Haxh të organizuar, nuk ka tubim masovik rreth Qabes së Ndritshme. Zoti edhe këtë pamundësi objektive do ta na e pranojë si sakrificë, pa dyshim!
Motra e vëllezër, le t’i lutemi Allahut Mëshirëplotë që për sakrificë në emër të Tij të na e pranojë edhe kufizimin e detyrueshëm që të qëndrojmë në distancë, mos të vizitohemi për shprehje të uratave njëri-tjetrit. Edhe në distancë, nëse jemi të devotshëm,

T mobile In article 1

Zoti do të na i përcjllë uratat, dashurinë tonë, mallin tonë, dëshirën tonë për përqafime familjare, miqësore, vëllazërore, deri te më të dashurit tanë.
Motra e vëllezër, më lejoni që t’i lutem Zotit për ju që, çdo vepër të hajrit që do ta bëni, Zoti ta pranojë si sakrificë në emër të Tij dhe, më lejoni që në emrin tim personal si dhe të mbarë anëtarëve të Lëvizjes Myslimane për Reforma në BFI të RMV-së t’ua uroj me shpirt- për shumë mot Kurban Bajramin!

Afrim Tahiri, drejtues i LMR në BFI