Vazhdon votimi për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të parat zgjedhje që zhvillohet në kushte të jashtëzakonshme për shkak të krizës disa mujore tashmë me koronavirusin. Votimit të sotëm i kanë paraprirë dy ditë votime. Të hënën votuan të gjithë të izoluarit dhe të infektuarit me Covid, ndërsa ditën e dytë, të burgosurit. Po ashtu, për herë të parë, këto zgjedhje mbahen në një ditë pune për shkak të mënyrës se si rrodhën afatet pas ndërprerjes së procesit të zgjedhjeve të parashikuara për në 12 prill. Në zgjedhjet e sotme pritet të votojnë mbi 1.8 milion qytetarë, por karakteristika e sotme janë pikërisht protokollet mbi mënyrën e votimit nën masa shëndetësore të kujdesit të veçantë nga Covid-19. Këtë proces zgjedhor, televizioni Alsat do ta ndjekë hap pas hapi me edicione të shpeshta lajmesh në çdo dy orë, me lidhje të drejtpërdrejta nga thuajse të gjitha rajonet e Maqedonisë. Duke qenë se ky votim përmbyllet në orën 21:00 të mbrëmjes, pas kësaj kohe Televisioni Alsat do të nisë maratonën e analizës së procesit zgjedhor dhe bashkërisht me të ftuarit tanë do të presim dhe komentojmë rezultatet e kësaj dite.