Greqia tha se do të bëjë “gjithçka që është e nevojshme” për të mbrojtur të drejtat e saj sovrane, kur bëhet fjalë për misionin e kërkimit të naftës dhe gazit në jug të ishujve grekë në Mesdheun Lindor, nga ana e Turqisë fqinje.

Mosmarrëveshja për të drejtat e pasurive nënujore ka bërë që Turqia dhe Greqia të vendosin trupat e marinës në rajon, raporton Reuters.

Të dyja vendet janë anëtare të NATO-s.

Një anije kërkimore turke, Oruc Reis, po përgatitet për një mision studimi, por Greqia po e kundërshton ashpër një projekt të tillë.

Zëdhënësi i qeverisë greke, Stelios Petsas, e përshkroi misionin si një shkelje të drejtpërdrejtë të sovranitetit grek.

“Qeveria u bën me dije të gjitha palëve se Greqia nuk do të pranojë një shkelje të sovranitetit të saj dhe do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të mbrojtur të drejtat e saj sovrane”, tha Petsas.